Drita ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtim te Malisheva në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në BKT Superligën e Kosovës.
Malisheva nuk ka arritur ta shfrytëzoj terrenin vendas pasi është mposhtur nga Drita në takimin e zhvilluar në stadiumin Liman Gegaj në Malishevë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, pa pasur shumë raste për gol.
Kështu, 45 minutat e parë të takimit përfunduan pa gola dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat 0-0.
Në pjesën e dytë, pati më shumë raste dhe më shumë aksione nga të dyja skuadrat, por mysafirët ishin më konkret duke shënuar dy gola, kundrejt një të vendasve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm katër minutave lojë dhe ishte sulmuesi Marko Simonovski, i cili shënoi me kokë për 0-1 pas asistimit të Almir Ajzerajt.
Drita vazhdoi sulmet edhe pas golit të parë, duke gjetur edhe të dytin me anë të Astrit Fazliut (61’), i cili ishte i saktë nga penalltia për epërsinë 0-2.
Malisheva arriti të kthehet në lojë në minutën e 82-të me anë të Yoan Marc Olivier që shënoi nga afërsia për 1-2, por ky doli të jetë i pamjaftueshëm pasi në fund humben nga Drita.
Pas kësaj fitore, Drita ngjitet në vendin e dytë me 41 pikë, ndërsa Malisheva renditet e shtata me 23 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Drita e pret Ballkanin, ndërsa Malisheva udhëton te Llapi. /Telegrafi/