Site icon Telegrafi

Drita fiton me lehtësi dhe dominon derbin e zjarrtë lokal ndaj Gjilanit, rikthehet lidere në Superligë

Drita ka fituar derbin e zjarrtë lokal ndaj Gjilanit me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Superligën e Kosovës.

“Intelektualët” kanë fituar përballjen ndaj rivalit të urryer “Skifterave” dhe kanë vazhduar serinë pozitive dhe kryesimin e kampionatit, ndërsa rivalët e tyre po thellohen në krizë ndeshje pas ndeshje.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm 11 minutave lojë dhe ishte Hamdi Namani, i cili nga afërsia shënoi për 1-0 pas një gabimi të mbrojtësit Ivan Fustar.

Pas këtij goli rastet e Dritës vazhduan derisa në minutën e 40-të shënuan përsëri me Ardian Limanin për 2-0 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Drita ishte përsëri skuadër më e mirë dhe më kërkuese, duke krijuar shumë raste ndaj Gjilanit shterp.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve të shumta të krijuara portat mbeten të paprekura këtë pjesë dhe ndeshja u mbyll me rezultat 2-0.

Pas kësaj fitore, Drita rikthen pozitën e parë me 53 pikë, ndërsa Gjilani renditet në vendin e katërt me 33 pikë.

Në ndeshjen e radhës, ‘Intelektualët’ luajnë në udhëtim te Ballkani, ndërsa ‘Skifterat’ e presin Trepçën ’89. /Telegrafi/

Exit mobile version