Site icon Telegrafi

Drita dhe Prishtina me përballje të vështira, Vëllaznimi luan derbin rajonal me Besën

Java e 29-të në elitën e futbollit kosovar ka filluar me shumë gola të shënuar në dy ndeshjet e para.

Liria mposhti Gjilanin me rezultat të ngushtë 3-2, ndërsa Drenica shkatërroi Vllazninë e Pozhoranit me një fitore të thellë 6-2.

Ditën e sotme (e diel) janë në program katër ndeshje të tjera për tu zhvilluar në Superligën e Kosovës.

Lideri aktual i elitës së futbollit kosovar, Drita do të luaj një ndeshje derbi në shtëpi përballë Feronikelit.

Skuadra e Sulejman Starovës në rast të humbjes do të rrezikonte shumë të mbetej në barazh, ndërsa Drita e mobilizuar synon t’i marrë tri pikët e radhës.

Drita dhe Feronikeli janë takuar dy herë këtë edicion ku bardh e kaltërtit kanë shënuar fitore minimale në shtëpi 1-0 ndërsa në udhëtim luajtën baras 0-0.

Pamje nga ndeshja e Kupës së Kosovës ku Drita triumfoi 3-0 ndaj Feronikelit. (Foto: KF Feronikeli)

Ndjekësi më i afërt i Dritës për titull të kampionit, Prishtina do të ketë një tjetër ndeshje derbi.

Kryeqytetasit në qytetin e Pejës do të jenë nikoqir të Llapit që ka humbur gjasat për titull por edhe për pozitën e dytë.

Llapi si duket pasi nuk ka mundur t’i prishë punë Dritës një gjë të tillë do të provojë ta bëjë ndaj Prishtinës.

Interesant pritet të jetë edhe në qytetin e Gjakovës, ku do të përballen dy rivalët rajonal Vëllaznimi dhe Besa.

Gjakovarët po kërkojnë t’i ikin barazhit dhe një gjë e tillë është e mundshme nëse në pesë ndeshjet e fundit marrin së paku katër fitore.

Ndërkohë pejanët nuk kanë qenë në gjendje më të keqe që nga paslufta ku janë afër rënies.

Bardh e kuqtë po kërkojnë pozitën e 10-të në kampionat që do t’i siguronte barazhin.

Të gjitha ndeshjet në Superligën e Kosovës fillojnë nga ora 16:00. /Telegrafi/

Exit mobile version