Drenica ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Trepçës ’89 me rezultat të pastër 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të në Superligën e Kosovës.
Kuqezinjtë drenicas i janë kthyer fitores pas tri barazimeve radhazi dhe kjo ishte ndeshje e parë dhe tri pikët e para të trajnerit të ri Sami Sermaxhaj.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, por ishin vetëm vendasit ata që gjeten golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 37-të dhe ishte Baton Zabërgja, i cili shënoi për 1-0 pas një gabimi të portierit Darko Tofiloski.
Edhe pjesa e dytë ishte thuajse e njëjtë nga e para, me të dyja skuadrat që tentonin, por vetëm vendasit që shënuan golin.
Në këtë pjesë, goli i vetëm erdhi në minutën e 70-të me anë të Donald Rapos, i cili gjuajti bukur brenda zonës për 2-0 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Drenica e sheh veten në pozitën e tetë me 30 pikë, ndërsa 89-shi në vendin e gjashtë me 32 pikë. /Telegrafi/