Telegrafi

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor, vërehet rënie e numrit të nxënësve

Këtë vit, më 2 shtator shumë nxënës do t’i kthehen bankave shkollore, e disa nga ta në këto banka do të ulen për herë të parë.

Në një intervistë për Telegrafin, Zymber Berisha nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës, foli për përgatitjet që janë bërë nga kjo komunë për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Tani aktualisht jemi në proces të regjistrimit të nxënësve në klasat e para, përkatësisht në klasat e 10-ta, në konkursin plotësues që është hapur në shkollat e komunës tonë. Jemi munduar që të jemi në gatishmëri që kur prindërit të vijnë për t’i regjistruar fëmijët e tyre në shkolla kjo procedurë të përfundojë sa më shpejtë, qe ata të mos presin, dhe një gjë të tillë e kemi realizuar sepse të gjitha shkollat me koha kanë hapur konkurset”, tha fillimisht Berisha.

Berisha po ashtu shtoi se kanë vërejtur edhe një rënie të numrit të nxënësve në Komunën e Gjakovës.

“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem, dhe gjithçka ka shkuar në rregull, por shihet që numri i nxënësve çdo vit është në rënie. Sipas planifikimit që kemi bërë si Drejtori e Arsimit në nivel komune numri i nxënësve nuk është aq i madh krahasuar me vitin paraprak, por që ka diferencë, dhe pritet që këtë vit të kemi më pak nxënës të regjistruar në bankat shkollore, krahasuar me vitin e kaluar”, shtoi ndër të tjera Berisha. /Telegrafi/