Site icon Telegrafi

Drejtori i ri i ATK-së, Murtezaj: Për shkak të ekonomisë jo formale, rreth 2 miliardë euro nuk kalojnë nëpër rrugë të ligjshme (Video)

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore (ATK), Ilir Murtezaj, në një intervistë për Emisionin “Ekonomi” në Telegrafi.com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për planet e tij institucionit që e udhëheq, për luftimin e informalitetit në ekonomi si dhe rritjen e inkasimit të të hyrave për buxhetin e shtetit.
Murtezaj ka treguar për sektorët në të cilët ka më së shumti informalitet .

“Synimet tona do të fokusohen në ngritjen profesionale të stafit, pastaj luftimin e ekonomisë informale, një dukuri e theksuar edhe nga matjet e fundit tregon se kemi nivel mbi 30 për qind të ekonomisë së zezë dhe rreth 28 të ekonomisë së hirtë, ku kjo pjesa e ekonomisë së hirtë është pjesë e përgjegjësisë së ATK-së që ta luftoj këtë dukuri”, tha ai.

Sipas Murtezajt, ndër që prijnë me informalitet është ndërtimtaria, por edhe te sektori i drejtësisë respektivisht edhe avokatura.

“Si pjesë e theksuar është sektori i ndërtimtarisë, shërbimeve, avokateria, ordinancat, pastaj është edhe një fushë te lojërat e fatit, si dhe bizneset që kanë veprimtari të tjera”, theksoi ai.

I pari i ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se synim kanë vënien në binar të të gjithë tatimpaguesit që zhvillojnë aktivitet. Ai ka thënë se për kanë kërkuar përkrahje dhe bashkëpunim nga sistemi i drejtësisë dhe nga Policia e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, gjatë intervistës për Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com

Problem sipas tij është ekonomia jo formale që po i dëmton të hyrat në buxhetin e shtetit.

“Llogaritet që ekonomia informale është 31.7 për qind, ku në vlera nominale i bie që përafërsisht 2 miliardë euro nuk kalojnë nëpër rrugë të ligjshme. Ndërsa në pjesën e të hyrave mund të jetë 100 deri 150 milionë euro. Këto janë vetëm shifra, nuk kemi fakte dhe argumente të mjaftueshme”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj për Emisionin “EKONOMI”.

Ai po ashtu ka folur edhe për të hyrat, lojërat e fatit, shtrirjen e ATK-së si dhe për të hyrat në komunat veriore të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version