Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në KallxoPërnime ka rrëfyer për telefonatën e realizuar mes zv.drejtorit të Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani dhe priftit të Manastirit të Banjskës, Atë Danilo.
Hoxha ka thënë se kanë tentuar të komunikojnë me grupin terrorist përmes përgjegjësit të Manastirit të Banjskës, Atë Danilo.
Ai shpjegoi se numri i telefonit të priftit është siguruar nga komandanti i KFOR-it dhe më pas i është dërguar nënkolonelit Veton Elshani, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Ne kemi tentu të komunikojmë me grupin përmes përgjegjësit të manastirit, atit Danilo. Mua më është dhënë numri i telefonit të tij nga komandanti i KFOR-it, është siguru përmes kanaleve të ndryshme dhe pastaj këtë numër ia kam përcjellë nënkolonelit Veton Elshani që ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka komuniku me të, duke iu thënë që të dorëzohen te Policia e Kosovës, po ashtu ka pyet se a ka njerëz të armatosur në manastir. Një herë ka thënë që nuk është i sigurt se a ka apo jo, ka kërku me dalë jashtë që të shohë përreth objekteve të manastirit, persona të armatosur, i njëjti ka thënë se nuk mund të garantojë dhe nuk mund të dalë sepse nuk ndihet i sigurt, gjë që për neve konfirmonte se ka por që nuk mund ta thotë ose verifikojë”- ka treguar Hoxha.
Hoxha shpjegon se kanë bërë thirrje që grupi terrorist të dorëzohej por që nuk kanë pas kontakte direkte me ta dhe se komunikimi është bërë përmes përgjegjësit të Manastirit të Banjskës.
“Kemi pas thirrje që ata të dorëzohen, por nuk kemi pas kontakte direkte fizike me ta në aspektin e komunikimit as negociatave as komunikim të drejtpërdrejtë. Komunikimi është bërë përmes përgjegjësit të manastirit”- ka treguar Hoxha.