Drejtori i sponsorit të Interit, Pirelli, Marco Tronchetti Provera ka thënë se Radja Nainggolan dhe Mauro Icardi mund të imitojnë dyshen heroike të vitit 2010, Wesley Sneijder dhe Diego Milito.
Interi mbetet klubi i vetëm italian që ka fituar kurorën e trefishtë brenda një sezoni, e njohur ndryshe si ‘tripleta’.
Dy nga heronjtë e vitit historik 2010 ishin mesfushori holandez Sneijder dhe sulmuesi argjentinas, Milito..
Por, pronari i Pirellit, Provera, ndjen që Nainggolan mund të bëjë një partneritet të ngjashëm me Icardi në sezonin e ardhshëm sikurse që ishin Sneijder me Militon.
“Fushata e transferimeve të Interit ishte e shkëlqyer, duke filluar me Nainggolan”, ka thënë fillimisht Provera për Gr Parlamento.
“Ai është një lider i natyrshëm dhe me Icardin, ata mund të jenë sikurse Sneijder dhe Milito në vitin e tripletës”.
“Icardi te Reali? Unë mendoj dhe shpresoj se Icardi do të vazhdojë udhëtimin e tij me Interin dhe me këtë skuadër, ai duhet të luftojë për Scudetton”, përfundoi pronari i Pirellit.
Ndryshe, përveç Nainggolanit, Nerazzurrët tashmë kanë transferuar edhe Stefan de Vrij, Kwadwo Asamoah, Lautaro Martinez dhe Matteo Politano. /Telegrafi/