Site icon Telegrafi

Drejtori i “Orenda”-s e quan të padrejtë vendimin për mbylljen e qendrës

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar “Orenda” në Pejë, e ka quajtur të padrejtë vendimin institucioneve për ta mbyllur këtë institucion.

Ministria e Financave këtë të premte njoftoi se ka revokuar licencën për qendrën “Orenda”, ku ka ndodhur rasti i dhunës fizike ndaj një banoreje të moshuar.

E sipas Rasajt, ky është vendim është i padrejtë pasi organet e hetuesisë ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit lidhur me rastin.

Këto deklarata ai i ka dhënë në një bisedë telefonike për RTK-në, pasi nuk ka dashur të prononcohet para kamerave.

“RTK ka kontaktuar me drejtorin e qendrës ku ka ndodhur dhunimi, Anton Rasaj, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media. Ai ka thirrur një konferencë për media nesër nga ora 11:00 veç se ka thënë se e quan të pa drejtë vendimin e ministrisë, pasi mendon se organet e hetuesisë ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre sa i përket rastit në fjalë. Po ashtu, është shprehur shumë i prekur nga ky rast”, ka thënë në një lidhje të drejtpërdrejt gazetarja Elmine Osmani.

Ndryshe, sipas njoftimit të ministrisë të lëshuar të premten, qendrës “Orenda” i është revokuar licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftimin për media.

“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale. /Telegrafi/

Exit mobile version