Gjashtë persona kanë marrë lëndime trupore sot në orët e para të paradites gjatë një përleshje fizike në një protestë e cila u mbajt në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ku po protestohej për deponinë e mbeturinave, të menaxhuar nga kompania “Uniteti”.
Drejtori i KRM “Uniteti”, Gazmend Morina, ka thënë për Telegrafin se ai dhe dy punëtorë të kësaj kompanie janë sulmuar fizikisht nga 20 banorë të fshatit Koshtovë.
Ai ka thënë se pasi kishin shkuar t’ua kumtonin lajmin banorëve në lidhje me deponinë, banorët i kanë sulmuar.
“Sot rreth orës 9:40 të mëngjesit në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, unë dhe dy punëtorë të KRM ‘Uniteti’ jemi sulmuar fizikisht nga 20 banorë të fshatit, të cilët paraprakisht e kanë bllokuar rrugën për deponi. Banorët e kanë pasur një kërkesë për mbulimin e deponisë, ku na me dakordim të Komunës jemi shkuar sot t’ua japim informatën se kjo do të ndodhë deri të dielen dhe kemi kërkuar të na mirëkuptojnë për kohën e realizimit”, ka thënë ai.
Morina theksoi se protesta sipas tij ka pasur qëllim sulmin fizik ndaj zyrtarëve të kompanisë dhe se sipas tij, sulmin e kanë kryer me gurë të mëdhenjë.
“Mirëpo, shihet se kjo ‘protestë’ ka pas një qëllim tjetër, sulmin fizik ndaj zyrtarëve të kompanisë. Faktikisht kjo po del se ka qenë e mirëpërgatitur, pasi që mbrëmë pronari i restorant “Ibrit” më ka thirrur në telefon dhe me kërcënim ka kërkuar që ta mbuloj deponinë ose sipas tij do të shihet se çka do të ndodh për sot. Sulmuesit veprën e kanë kryer me gur të mëdhenj, por që nga ta është tentuar të përdorën edhe armë të ftohta. Nga sulmi lëndime trupore kam marrë unë, dy punëtorë ty “Unitetit” dhe dy zyrtarët policor prezent, të cilët me vetmohim ma kanë mbrojtë jetën, për çka edhe janë goditur e sulmuar nga banorët”, ka
treguar ai.
Ndër të tjera, Morina, ka thënë se banorët i kanë thyer edhe xhamat e veturës së tij gjatë përpjekjes për ta nxjerrë nga vetura.
“Siç shihet edhe në foto, të gjithë xhamat e veturës më janë thyer me gurë, gjatë përpjekjes për ta nxjerrë zvarrë nga vetura, me çka mendoj se kanë shkaktuar veprën penale tentim-vrasje me mjete të forta. I falënderoj përzemërsisht dy policët për punën e bërë sot, ani pse për shkak të numrit të vogël të tyre në vend të ngjarjes sulmi nuk ka mundur të evitohet, pasi që ka qenë i parapërgatitur”, ka thënë për Telegrafin drejtori i kompanisë regjionale “Uniteti”, Gazmend Morina.
Ndryshe lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Sipas tij, katër nga të lënduarit janë protestues ndërsa dy të tjerët zyrtarë të kompanisë regjionale “Uniteti”, njëri ndër ta drejtori i kësaj kompanie, Gazmend Morina./Telegrafi/