Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka konfirmuar për Telegrafin së janë mbi 60 raste që kanë kërkuar shërbime mjekësore pas helmimit me ushqim, që kishin marrë nga një gjellëtore në Drenas.
Ai tregoi se çfarë simptomash kishin pasur personat e helmuar që kanë kërkuar ndihmë në QKUK.
“Janë mbi 60 raste që kanë kërkuar shërbime mjekësore ambulatore dhe nga ky numër janë hospitalizuar 26 raste. Simptomat temperaturë të lartë, lodhje, plogështi, të vjella, diare dhe gërrqe stomaku, ethe. Arsyeja ishte se kishin ngrënë darkë iftar në ditën e enjte të llojit të mishit qumështit dhe të kombinuar në një restorant në Drenas”, ka thënë Hamdi Ramadani për Telegrafin.
Ramadani bëri të ditur se gjendja e personave të helmuar është duke u përmirësuar.
“Aktualisht janë në mjekim 20 raste me tërhiqje të simptomave, ulje e temperaturës dhe analiza në normale, gati të gjithë kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në restorant në Drenas. Ecuria e mjekimit është e mirë. Analizat e institutit mikrobiologjik janë në pritje, koprokultura hemokultura”, tha ai.
Ndryshe gjithsej numri i personave të helmuar nga ushqimi që kishin marrë për një iftar ditën e premte (17 maj), ka arritur në 85. Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, i cili ka shtuar se lokali do të qëndrojë i mbyllur deri në marrjen e rezultateve të Agjencisë së Ushqimit.
Ndërkohë nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se pronari i lokalit është intervistuar por që më pas është liruar në procedurë të rregullt, dhe se rasti është iniciuar rast shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Aktualisht mostrat e ushqimit të gjetura në kuzhinën e lokalit, janë në laboratorë duke u testuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë./Telegrafi/