Një person i mitur, nxënës i shkollës së mesme, ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një sulm me thikë në Suharekë.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, Remzi Bytyçi, ka thënë se është i njoftuar me rastin ku disa persona të moshës së mitur kanë sulmuar dy të tjerë.
Ai tha se sulmuesit e mitur nuk janë nxënës të ndonjë shkolle.
“Po unë jam njoftuar në lidhje me rastin për të cilin po pyesni, unë jam njoftuar nga komandanti i policisë në Prizren, se tre persona kanë sulmuar dy persona të tjerë. Mund të ju them se sulmuesit nuk janë nxënës të ndonjë shkolle ndërsa, dy të tjerët që janë therur me thikë ku njëri nga ta fatkeqësisht ka vdekur janë nxënës të shkollës së mesme teknike”, tha Bytyçi për Kallxo.com.
Ai shtoi se njëri nga tre sulmuesit e mitur vitin e kaluar ka qenë në shkollë, por shkaku i mungesave dhe disiplinës së keqe është larguar dhe më nuk ka vijuar mësimet.
Policia ka konfirmuar rastin ku sot rreth orës 13:40, një i mitur ka mbetur i vdekur si pasojë e një zënke në të cilën janë përdorur thikat mes të miturve në stacionin e autobusëve në Suharekë.
“Rreth orës 13:38 minuta Policia në Suharekë ka pranuar një informacion për një rrahje të disa të rinjve që kishte ndodhur në Stacionin e Autobusëve në Suharekë. Pas hetimeve të para nga vendi i ngjarjes është bërë e ditur se tre të dyshuar të mitur: 15; 16 dhe 17 vjeç nga Duhla i kishin sulmuar po ashtu dy të mitur nga fshati Gjinoc të cilëve u kishin shkaktuar plagë me thikë”, thuhet në komunikatën e Policisë.