Site icon Telegrafi

Drejtorët e shkarkuar të VV-së e quajnë qyqarllëk vendimin e Shpend Ahmetit ndaj tyre

Drejtorët e shkarkuar të Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, përmes një konference për media kanë folur rreth vendimit ndaj tyre nga ana e kryetarit Shpend Ahmeti.

Arben Vitia tashmë ish-drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, ka thënë se vendimin e Ahmetit për shkarkimin e tyre e kanë marrë vesh përmes deklaratës së Ahmetit në televizion mbrëmë.

“Kryetari përmes një emisioni të incizuar më herët largoj Lëvizjen Vetëvendosje  nga qeverisja në Prishtinë. Edhe ne vetë këtë vendim e kuptuam nga ky emision. Tashmë është e qartë se kryetari pas fitimit të mandatit të dytë, nuk i bëhet vonë për besimin e qytetarëve dhe angazhim e aktivisteve por as për premtimet me të cilat e fitoi këtë mandat”, ka thënë Vitia.

Lexo po ashtu Shpend Ahmeti shkarkon dy drejtorë të Vetëvendosjes në Prishtinë, reagon Yll Rugova

Kurse, Nora Kelmendi e cila u shkarkua nga drejtoria për Kadastër, deklaroi se gjesti i Shpend Ahmetit ndaj tyre tregon qyqarllëk.

“Akti i shkarkimit të cilin e bëri dje Shpendi përmes një emisioni televiziv, tregon se ai e kishte shumë të vështirë të ballafaqohet sy më sy me neve, ato që i tha mbrëmë janë të paqëndrueshme. Gjesti i tij tregon një qyqarllëk të tij, dhe mungesë guximi dhe respekti ndaj neve, besimit të qytetarëve dhe VV-së”, deklaroi Kelmendi.

Ajo shtoi se të përjashtosh VV nga qeverisja tregon se ky kryetar ka hequr dorë nga programi me të cilin kemi fituar besimin e qytetarëve, dhe sipas saj VV-në e sheh si pengesë për punët që ka ndërmend ti bëjë me koalicionin qeverisës.

Në anën tjetër, Yll Rugova, Drejtor i Kulturës ka thënë se Vetëvendosje është larguar nga qeverisja duke krijuar një mundësi që të bëhen koalicione tjera brenda qeverisjes aktuale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version