Drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe vizitoi InterEx një nga zinxhirët më të mëdhenj të shitjeve me pakicë në rajon.
InterEx operon në një sektor që është i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për rritjen e ekonomisë së vendit, pasi ofron mallra cilësore të përballueshme për konsumatorët si dhe mbështet prodhuesit dhe furnitorët vendas.
Gjatë vizitës së saj, Ruhe pati një takim me ekipin drejtues të InterEx, i cili prezantoi modelin e biznesit, strategjinë dhe planet e zgjerimit të kompanisë. InterEx është e angazhuar të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg dhe të zgjerojë operacionet e saj në të gjithë vendin, duke investuar në infrastrukturën logjistike, dixhitalizim dhe kapitalin njerëzor.
Ruhe vlerësoi InterEx për arritjet dhe kontributin e tij në zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rëndësinë e sektorit privat në krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e sipërmarrjes. Ajo theksoi gjithashtu angazhimin e BERZH-it për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat në rajon, nëpërmjet investimeve, shërbimeve këshillimore.
“Jam e lumtur që jam këtu në Prishtinë për të vizituar InterEx. Shitja moderne me pakicë nuk ka të bëjë vetëm me përvojën më të mirë të blerjeve, për të cilën kërkesa lokale po rritet. Gjithashtu shitja me pakice mund të jetë shtytës i fuqishëm i ekonomisë reale përmes zinxhirëve të vlerës, duke mbështetur furnitorët lokalë, krijimin e vendeve të punës dhe inovacionit – siç është logjistika moderne”, u shpreh ajo.
InterEx është duke punuar me përkushtim me BERZH, për t’u certifikuar me BREEAM Cerfitication, e cila është nga parakushtet që BERZH kërkon për kontributin dhe mbështetjen për qëndrueshmëri dhe ekonomi të gjelbër.
Vizita e Ruhe në InterEx është pjesë e misionit të saj zyrtar në vend, që synon forcimin e angazhimit të BERZH me sektorin privat dhe promovimin e mandatit të Bankës për të mbështetur kalimin në një ekonomi gjithëpërfshirëse.