Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizitën e parë sot e ka bërë në katër stacionet policore të drejtorisë rajonale, Mitrovicë të Veriut.
Siç njoftohet, gjatë vizitës së stacioneve policore në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe stacionit policor Mitrovicë Veri, drejtori i përgjithshëm Hoxha takoi nga afër stafin menaxhues të drejtorisë rajonale Mitrovicë Veri, komandantët e stacioneve në detyrë dhe zyrtarët policorë që operojnë në zonat e përgjegjësisë së tyre.
“Qëllimi i kësaj vizite ishte të shoh nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e punonjësve policorë si dhe rezultatet e arritura pavarësisht sfidave, sakrificës dhe vështirësive që kanë kaluar zyrtarët policorë në këtë periudhë kohore”, thuhet në njoftim.
Drejtori Hoxha me këtë rast pohoi se arritja e objektivave dhe përmbushja e obligimeve ligjore dhe kushtetuese është arritur falë punës ekipore, bashkëpunimit, guximit dhe përkushtimit të vazhdueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe shërbimit ndaj qytetarëve pa dallim.
Po ashtu në fokus të këtij takimi ishte edhe ngritja e mëtejme e aktiviteteve policore të policimit në bashkësi, inkurajimi i qytetarëve dhe komuniteteve pa dallim për rritje të mëtejme të bashkëpunimit dhe raportimit të rasteve për një siguri edhe më të madhe.
Menaxhmenti policor u informua se gjatë kësaj periudhe kohore (01 janar 2023 deri me 15 mars 2023) janë raportuar dhe evidentuar (109) raste të natyrave të ndryshme, të cilat janë menaxhuar me sukses nga stacionet policore në veri të vendit.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me qytetarët mbetet një ndër objektivat kryesore për menaxhimin e sigurisë, parandalimin e krimit dhe kontrabandës si dhe ofrimin e një ambienti më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet tutje.
Përveç tjerash, menaxhmenti i lartë i PK-së, falënderuan zyrtaret policorë për punën e palodhshme dhe angazhimin e pakursyer në interes të sigurisë nacionale, ofruan mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të plotë ndaj zyrtarëve policorë, si dhe inkurajuan ata që të vazhdohet me punë profesionale në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.