Site icon Telegrafi

Dramë në ‘Villa Park’, Aston Villa dhe Liverpooli ndahen në paqe në sfidën e gjashtë golave

Liverpooli ka luajtur baras me rezultat 3-3 në udhëtim ndaj Aston Villës në kuadër të javës së 37-të në elitën e futbollit anglez.

Pjesa e parë u karakterizua me lojë sulmuese nga të dyja ekipet, ku edhe u shënuan tre gola vetëm gjatë 45 minutave të para.

Liverpooli mori avantazhin në minutën e dytë të ndeshjes falë një autogoli të Emiliano Martinez për rezultatin 1-0.

Vendasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat në minutën e 12-të me anë të Youri Tielemans i cili shënoi për 1-1 pas asistimit të Ollie Watkins.

Mysafirët rikthyen përsëri avantazhin në të mirë të tyre, duke shënuar kësaj radhe me anë të Cody Gakpos i cili shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës për të realizuar për 2-1.

Villa pati dy mundësi shumë të mira me Leon Bailey (36’) dhe Moussa Diaby (43’) por që nuk ishin të saktë përballë portës.

Në pjesën e dytë Liverpooli arriti të shënojë përsëri kësaj radhe me anë të Jarell Quansah i cili në minutën e 48-të shënoi me kokë për 3-1 pas krosimit të Harvey Elliott.

Deri në fund Villa shënoi edhe dy herë tjera me anë të  Jhon Duran (85’) i cili fillimisht realizoi për 2-3, dhe pastaj tre minuta më vonë shënoi për të barazuar shifrat në 3-3.

Me këtë barazim Liverpooli shkon në kuotën e 79 pikëve, dhe shpresat për titull tashmë janë zbehur tërësisht./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version