Telegrafi

Dramë në aeroplan për shkak të një “shakaje”, kanadezi gënjeu se është infektuar me coronavirus – arrestohet

Një shtetas kanadez është arrestuar pasi që brenda një aeroplani plotë me pasagjerë kishte gënjyer se është i infektuar me coronavirus, duke detyruar pilotin të rikthehet në aeroportin nga ku ishte nisur.

Siç raportojnë mediat kanadeze, aeroplani i aviokompanisë “West Jet” tashmë kishte qenë në gjysmë të rrugës për në Montig Bay të Xhamajkës, kur një burrë u ngrit në këmbë dhe tha se së fundmi ka qenë në Kinë ku është infektuar me coronavirus, transmeton Telegrafi.

CBS raporton se pilotët me të dëgjuar çfarë tha ky burrë, vendosën të rikthehen në Toronto nga frika se pasagjerët e tjerë mund të infektohen.

Në anën tjetër zyrtarët kanë konfirmuar se pretendimet e 30-vjeçarit kishin të bëjnë me një “shaka” që nuk ishte aspak e mirë – përkundrazi shkaktoi panik në mesin e pasagjerëve.

E pikërisht për shkak të këtij veprimi ai ka përfunduar në prangat e policisë, kurse kompania “West Jet” u ka kërkuar falje pasagjerëve që ishin brenda aeroplanit 243. /Telegrafi/