Në Arkivin e HAZU-t, në Zagreb, në fondin e dorëshkrimeve të Ivan Kukuleviq-Sakcinskit, njërit prej historianëve, arkivistëve dhe bibliografëve më të njohur kroatë dhe njërit prej ideologëve të rilindjes kroate, ruhet një dorëshkrim i një drame, që i kushtohet heroit kombëtar shqiptar të shekullit të XV-të, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dorëshkrimi ndodhet në signaturën: XV. 23/ C. II. – 7. Daton nga viti 1840. Këtë të dhënë e gjejm në faqen e fundit, të shkruar nga vetë dora e Ivan Kukuleviq-Sakcinskit.
Nga: Musa Ahmeti (shkrim i botuar për herë të parë në vitin 1999, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)
Kush është Sakcinski?
Ivan Kukuleviq-Sakcinski është njëri nga studiuesit e shumtë kroatë, i cili është marrë me hulumtimin e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Pos dorëshkrimit të dramës mbi Skënderbeun, ai herë pas here është marrë edhe me çështjen shqiptare deri në gjysmën e dytë të shek. XIX, përmes shkrimeve me karakter letrar dhe historiko-informativ, si dhe mbledhjes së dorëshkrimeve dhe librave të ndryshëm, të botuar gjatë shekujve.
I. K. Sakcinski disa herë në studimet e tija do t’i kthehet historiografisë shqiptare, e veçanërisht Skënderbeut. Si historian, arkivist dhe bibliograf, duke mbledhur lëndën arkivore për historinë e kroatëve, ai domosdo do të ndeshë në dokumente, dorëshkrime dhe materiale historike që kanë të bëjnë me shqiptarët. Udhëtimin e tij të vitit 1854, përgjatë bregdetit të Adriatikut, ai e bëri jo rastësisht. Duke pasur informata nga burime të ndryshme, si nga Pula e deri në Korfuz, ka dokumente dhe monumente të rëndësishme kulturore mesjetare, si dhe shumë mbishkrime të pahulumtuara e të panjohura. Ai bëri një itinerar të studiuar deri në hollësi. Edhe ushtrimi i vitit 1856 ishte i ngjashëm me atë të mëparshmin, por tash kishte shumë informata dhe miq shqiptarë, me të cilët do të vizitonte bregdetin e Adriatikut.
Kërkimeve historiografike dhe arkivore për pasurimin e fondeve të HAZU-t, me dokumente të ndryshme, Sakcinski i shton edhe një numër të madh dorëshkrimesh origjinale shqipe, të cilat i bleu ose i mblodhi në terren. Një pjesë e këtyre dorëshkrimeve do të përfundojnë në duart e albanologëve të njohur të kohës si: Shafarikut, Jagiqit, Mikloshiqit, Gajterit, Shufflayt, Jireçekut, Truhellkës, Bariqit, Kovaçecit etj., të cilët, pastaj, do t’i studiojnë dhe përpunojnë ato, duke nxjerrë në dritë studime të shumta cilësore dhe mjaftë korrekte, në fushën e albanologjisë, por një pjesë e mirë e tyre edhe sot e kësaj dite ruhet në fonde të ndryshme të Arkivit të HAZU-t, në Zagreb, dhe pret që studiuesit tonë t’i botojnë ato.
Një meritë e veçantë Sakcinskit i takon edhe për atë se gjatë udhëtimeve të tija nëpër qytetet dalmatinase, por edhe në brendi të Kroacisë, regjistron dhe njofton për dorëshkrime të tjera të autorëve kroatë, por edhe shqiptarë, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për historiografinë dhe kulturën shqiptare.
Skënderbeu, si njëri prej prijësve më të njohur të shekullit XV që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindësve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës. Pjesa më e madhe e rilindësve kroatë do ta ngre lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash etj. Në të ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundër vënies, sepse në atë kohë ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar për një qëllim të përbashkët – lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë se figura e Skënderbeut ka luajtur një rol shumë pozitiv në rrjedhat historike romantike të zgjimit të vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat.
Dorëshkrimi i cili ruhet në Arkivin e HAZU-t është një dramë, e cila konsiderohet e papërfunduar, ngase i mungojnë disa skena të aktit të parë, të tretë dhe të katërt.
Dorëshkrimi ofron një vlerë të madhe kulturore-historike, pikërisht për faktin se pasuron bibliografinë e veprave letrare-historike që janë shkruar në kroatishte për Skënderbeun. Njëkohësisht, është tregues real i interesimit të studiuesve dhe krijuesve kroatë për figurën e Skënderbeut dhe historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës.
Dorëshkrimi i pabotuar
Interesante është edhe historia e mosbotimit të këtij dorëshkrimi. I pari për të njofton T. Smiçiklasi, ndërsa nga studiuesit shqiptar dr. Z. Neziri. Ne kemi përgatitur tekstin e këtij dorëshkrimi për botim. Kemi bërë transkrimptimin, transliterimin dhe përkthimin në gjuhën shqipe. Shpresojmë se së shpejti do të shohë dritën e botimit si monografi e veçantë, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë kroate.
Teksti i dramës në gjendjen e tashme është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, 27,5 x 51.8 cm. Në fillim tetë faqet e para kanë një format më të vogël, 22,5 x 35cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut, sipas burimeve dhe autorëve me të cilët është shërbyer Sakcinski. Pastaj, në vazhdim, kemi 48 fletë të shkruara dhe dy fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura në dyshe dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, pra në faqen “recto”. Dorëshkrimi përgjithësisht është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit janë të përlyera me baltë. Si duket, kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe teksti në to vështirë lexohet.
Sipas të gjitha gjasave, autorit dorëshkrimin i është kthyer disa herë për përpunim dhe plotësim, ngase anësh, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës drejtshkrimore, plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime komplete monologësh.
Teksti në të cilin është shkruar pjesa e parë e dramës shtrihet në 13 tabakë. Secili tabak është i shënuar me numra romakë nga I-IV; po ashtu, pranë tyre janë numrat arabë, nga 1deri në 4, ndërsa fletët e tjera janë të panumëruara.
Të trembëdhjetë tabakët mbajnë këtë renditje numerike: akti i dytë: II/1, II/2, II/3, II/4, ky i fundit ka një fletë të zbrazët; pastaj akti i tretë: III/1, III/2, III/3, III/4 dhe një tabak të panumëruar; akti i katërt: IV/3, IV/4. Tabakët tjerë janë të panumëruar. Nëse ndjekim parimin logjik, atëherë mund të konkludojmë se kanë humbur, nga akti i parë, tabakët: I/1, I/2, I/3, I/4 dhe nga akti i katërt tabakët: IV/1, IV/2.
Njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, të cilat duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioçiqin dhe J. B. Hamerin, por është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burime e autorë të tjerë të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm, mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime. Këtu, në radhë të parë mendohet në Marin Barletin “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis,” Zagreb, 1743; pastaj për “Hungarische [Sibenbürgische] Moldau-Wallach/ Türch-Tartar-Persian und Venetianische”, 1663, Francffurt am Maynn; pastaj për “Türchische-Tartarische-Persianische-Griechische Venetianische”, 1665, Francffurt am Maynn. Është interesant se Ivan Kukuleviq-Sakcinski nuk shënon titujt e veprave të tyre, por vetëm numrin e faqeve, të cilat i ka konsultuar, në dorëshkrimin e tij të dramës për Skëndrbeun.
Ndërtimi i dramës
Veprimi bazë i dramës bazohet në disa nga momentet kyçe të jetë së Skënderbeut, të cilat kanë mbështetje të plotë nga burimet dokumentare dhe tekstet e botuara. Në tetë fletët e para të dorëshkrimit Sakcinski ka shënuar: të dhëna biografike për jetën e Skënderbeut, disa të dhëna themelore për personazhet kryesore dhe burimet e shfrytëzuara, duke na paraqitur edhe një koncept të shkurtër, për gjithë atë që planifikonte të shkruante. I tërë syzheu i dramës ndahet në tre periudha:
– në vendimin e Skënderbeut për t’u kthyer në Shqipëri dhe përgatitjet në këtë drejtim,
– në kohën e kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, dhe
– në njërën nga betejat e tija më të famshme, rrethimin e parë të Krujës.
Gjykuar sipas planit, në fillim të dorëshkrimit, mund të themi se autori nuk ka planifikuar të paraqesë jetën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në tërësi, por duke shfrytëzuar teknika të ndryshme përshkrimore, të domosdoshme për veprat letrare, ta përpunojë vetëm një pjesë të kësaj periudhe historike, e cila do të përfshinte përafërsisht kohën e kthimit të Skënderbeut në atdhe e deri në rrethimin e parë të Krujës. Metaforikisht, kjo periudhë historike do të shpjegohej me lindjen e konfliktit dramatik dhe me përfundimin fatlum të tij, gjë që është edhe ideja kryesore e Skacinskit!
Të dhënat burimore, të shfrytëzuara nga Marnaviqi, Kashiqi dhe Hameri, i takojnë vetëm kësaj periudhe të jetës së Skënderbeut dhe mungojnë ato të viteve të mëvonshme të jetës së tij. Ky fakt na bën të gjykojmë se ai ka planifikuar që dramën e tij për Skënderbeun ta përfundojë me martesën e heroit, respektivisht me lindjen e djalit të Skënderbeut, Gjonit, dhe me tradhtinë e Hamza Kastriotit, që në njëfarë mënyre do të shpjegohej karakteri i fortë dhe i vendosur i Skënderbeut, përballë atij të dobët të Hamzait, edhe pse gjenealogjikisht lidhjet e gjakut, të dytë i kanë të përbashkëta, pra këtu do të kishim elementet psikologjike dhe faktorin njeri, si dominues në përcaktimin e fatit për të ardhmen e atdheut.
Aktet e dramës
Ivan Kukuleviq-Sakcinski këtë pjesë të jetës së Skënderbeut e ka koncipuar në katër akte. Nga dorëshkrimi vërejmë se i plotë është vetëm akti i dytë dhe deri diku edhe akti i tretë, derisa nga akti i parë kemi skenat 5-8, ndërsa nga akti i katërt kemi skenat e fundit 7-15. Ngjarja kryesisht zhvillohet në Edrene, në pallatin e Sulltanit dhe në dhomën e Skënderbeut, pastaj në shtatoren e tij në malet e Dibrës dhe në malet e Krujës.
Personazhet kryesorë të tekstit janë: Skënderbeu, Arianiti, Moisi Golemi, Urani, Hamzai, Sulltan Murati, Mustafai, Jusuf Pasha, Pal Maneshi, Stanishi, Prelati, Gjoni, këngëtar Bojani, Andrea Ëngjëlli, Gjergj Balsha, Donika – bashkëshortja e Skënderbeut, Mara – e motra e Skënderbeut dhe bashkëshortja e Stefan Cërnojeviqit, Oblaçiqi – mbret i Bosnjës, e persona të tjerë.
Në katër skenat e fundit të aktit të parë marrin pjesë: Skënderbeu, Kont Urani dhe Hamzai. Përmes bisedës që ata zhvillojnë, ne kuptojmë përpjekjet e Kont Uranit për ta e bindur Skënderbeun që të kthehet në atdhe. Në një pjesë të aktit të katërt është ruajtur vetëm një monolog i Skënderbeut. Në të përshkruhet në mënyrë të përkryer personaliteti dinak i Sulltan Muratit. Nënkuptojmë se është vazhdim i bisedës me Hamza Kastriotin. Kjo bisedë nxitet nga vdekja e vëllezërve të Skënderbeut, pra në mesin e të cilëve është edhe babai i Hamzait. Në skenën e pestë, nëpërmes monologut zbulohet maturia dhe urtësia e Skënderbeut. Ai i ka të njohura nga afër gjitha veprat e Sulltan Muratit, për të cilat Hamzai me këmbëngulësi rregullisht e fton në hakmarrje. Në retrospektivë, në skenën e gjashtë nga biseda e Skënderbeut me Kont Uranin, mësojmë fëmijërinë e hershme të Skënderbeut. Njoftohemi me vdekjen e Gjon Kastriotit dhe porosinë e tij për Gjergjin. Kont Urani ia dorëzon unazën e mbretërisë dhe e fton të kthehet në atdhe se populli e pret me padurim.
Ky është një nga përshkrimet autentike të nxjerra nga libri i M. Barletit. Skënderbeun e djeg përbrenda në shpirt dëshira që të kthehet, por pret momentin më të përshtatshëm. Në skenën e shtatë inkuadrohet edhe Hamzai, i cili pasi njoftohet me Kont Uranin, vazhdon edhe më tutje të bëjë presion mbi Skënderbeun për t’u kthyer në atdhe. Mirëpo, Skënderbeu, i vendosur në qëndrimet e tija, e porosit Hamzain me fjalët: “Edhe dhimbjes sate do t’i vijë radha”. Hamzai, i befasuar me qëndrimin e ftohtë të Skënderbeut, kërkon nga Kont Urani që t’ia sqarojë këtë kthesë të madhe në personalitetin e Skënderbeut, i cili nga një luftëtar i ashpër dhe i rreptë kthehet në një njeri shpirtmirë, i butë dhe fare i qetë!
Në aktin e dytë, në skenat 1-7, ngjarja zhvillohet pjesërisht në pallatin e Sulltan Muratit dhe pjesërisht në Krujë, në varrezat e Kastriotëve. Në skenat në vazhdim ngjarja zhvillohet në pallatin e Sulltan Muratit, ku njihemi me emërimin e Sabeli Pashës si sundimtar i Krujës dhe për vënien në provë të dëshirës së Skënderbeut, për t’u kthyer në Krujë, që ishte një provokim dinak dhe qëllimkeq nga ana e Sulltanit. Këtu vërehet mençuria e Skënderbeut, i cili nuk bëhet pre grackës së përgatitur nga Murati. Duke mos shprehur ambicie për pushtet në principatën shqiptare, ai para Sulltanit me mençuri shprehet: “Çfarë i duhen shqiponjës malet, kur i ka kodrinat dhe mjegullat”.
Në skenën e dytë përshkruhen luftimet e Skënderbeut në Azi dhe nënshtrimi i mbretërive aziatike, me të cilat fiton autoritet dhe famë në oborrin mbretëror, si dhe pozita shumë të larta ushtarake. Ngjarja në skenën tre dhe katër zhvillohet në dhomën e Skënderbeut. Këtu vërehet gatishmëria e Skënderbeut për t’u kthyer në atdhe, por në një moment të përshtatshëm, duke analizuar në mënyrë të gjithanshme situatën dhe rrethanat politike. Në vazhdim, ngjarja zhvillohet në varrezat e Kastriotëve. Skena e pestë, hapet me vajtimin e Marës mbi varrin e Gjon Kastriotit. Vazhdon me ngushëllimet e Donikës – bijës së Arianitit dhe largimin e tyre nga varrezat. Inkuadrimi i Arianitit dhe Stefan Cernojeviqit, në skenën e gjashtë, vë në plan të parë përgatitjet për një kryengritje të shpejtë. Në vazhdim, inkuadrohen Pjetër Perlati, Gjoni në rroba murgu, si luftëtar bullgar. Këta informojnë Arianitin se Dibra, Petrela dhe Svetigradi janë të gatshëm për kryengritje dhe presin çastin e parë që të rrokin armët. Ky akt përfundon me betimin e përbashkët të të pranishmëve mbi varr të Gjon Kastriotit për mbrojtjen e atdheut nga osmanët dhe për njohjen e Skënderbeut për udhëheqës të tyre.
Në aktin e tretë, skenat 1-9, përshkruhet përgatitja e Skënderbeut për t’u kthyer në atdhe. Skena e parë, vendimi i Skënderbeut për t’u tërhequr me ushtarët e tij nga fushëbeteja, skena e dytë, bashkëpunimi me Huniadin dhe zbulimi i sekretit të luftës, respektivisht llogorimit të ushtrisë osmane. Pastaj, në skenën e katërt, përshkruhet detyrimi i sekretarit për të nënshkruar në emër të sulltanit “fermanin” për emërimin e Skënderbeut sundimtar të Krujës. Vrasja e sekretarit për të mos zbuluar këtë gjë para kohe dhe disa momente të tjera. Përcjellja e Hamzait si pararojë, në Krujë me “fermanin” e Sulltanit dhe përgatitja e ushtarëve të Skënderbeut për t’u kthyer në atdhe. Në skenën e gjashtë, përshkruhet festimi i Shën Gjergjit pranë një manastiri, që mendohet të jetë Svetigradi në malet e Dibrës. Në të marrin pjesë: Prelati, Stanishi, Gjoni, vasha, barinj, këngëtar Bojani, i cili në mënyrë mallëngjyese përshkruan në këngën e tij lindjen e Skënderbeut, ëndrrën e Vojsavës para lindjes së Skënderbeut, vajtjen e Skënderbeut si peng në Turqi dhe ngritjen e tij në pozita të larta ushtarake. Në fund, rapsodi popullor paralajmëron kthimin e Skënderbeut. Kjo skenë përfundon me paraqitjen e turqve në Svetigrad.
Skena e shtatë përshkruan dialogun në mes të Cernojeviqit dhe Oblaçiqit, të cilët me padurim presin ardhjen e lajmëtarit, i cili do të tregonte kthimin e Skënderbeut, ngase për këtë qëllim kishin arritur në Dibër. Në vazhdim, Cernojeviqi në mënyrë të dhimbshme përshkruan gjendjen e rëndë dhe shumë të mjerë të popullsisë nën sundimin osman dhe pamundësinë për një zgjidhje të shpejtë dhe fatlume pa ndihmën e Skënderbeut. Paraqitja e Hamzait në skenën e nëntë zgjidh nyjën e pritjes së Skënderbeut dhe gëzimin e madh që shkakton te të pranishmit lajmi për kthimin e tij.
Skenat e aktit të katërt hapen me një dialog në mes të Donikës dhe Arianitit, që është fundi i skenës së gjashtë. Ky fragment i shërben autorit për të përforcuar personalitetin burrëror dhe luftarak të Donikës. Një efekt i tillë arrihet kur Donika i kërkon të atit, Arianitit, një thikë, me motivacion se i duhet për vetëmbrotje. Një simbolikë e çuditshme, por shumë domethënëse, në të cilën zbërthehen shumë paragjykime që ndjen për çastin vetë Sakcinski. Ndërsa, në skenën e shtatë kemi një skenë idilike, dashurie, në mes Donikës dhe Skënderbeut. Në skenën e tetë kemi një dialog në mes Marës dhe Donikës dhe befasinë e Marës se si Skënderbeu në një atmosferë të tillë lufte gjen kohë të mendojë për dashuri dhe për martesë. Në skenën e nëntë përshkruhet arritja e Jusuf Pashës dhe e Ali Pashës si të deleguar të sulltan Mehmetit II, si vëzhgues të terrenit, për nënshkrimin e një paqje të mundshme në të ardhmen. Në retrospektivë, përmes rikujtesës së Ali Pashës përshkruhet disfata e tmerrshme e ushtrisë osmane në Mokër dhe në Dibër, ndërsa vajta e tyre në malet e Krujës motivohet si kërkesë për të firmosur paqen me Skënderbeun.
Në skenën e dhjetë, gjithashtu nga retrospektiva, dialogu që bëhet në mes Prelatit, Gjonit dhe Stanishit na bën të kuptojmë rënien e Svetigradit në duart e turqve. Në vazhdim përshkruhet përfundimi i një beteje të rëndësishme: përshtypjet e Skënderbeut dhe të Arianitit pas tërheqjes së ushtrisë osmane. Nga nënteksti kuptojmë se është fjala për rrethimin e parë të Krujës. Në skenën e dymbëdhjetë inkuadrohet Kont Urani, i cili përgëzon Skënderbeun për fitoren dhe shpreh dëshirën e qytetarëve të Krujës se, më në fund, është koha që mbreti i tyre të zgjedhë një vashë për martesë. Skënderbeu kërkon pëlqimin dhe bekimin e Arianitit, i cili me kënaqësi i plotëson një dëshirë të tillë, duke i dhënë të bijën, Donikën, për nuse. Skenën e trembëdhjetë e hap paraqitja e Hamzait dhe e Mustafasë të veshur me rroba bullgarësh. Hamzai qortohet ashpër nga Skënderbeu për disfatën e Drishtit dhe Danjës, që e krahason me disfatën e Muratit në Krujë. Arritja e Prelatit, Gjonit dhe Stanishit hap skenën e katërmbëdhjetë. Këta raportojnë mbi gjendjen e luftës, e cila është zhvilluar në fushën e Tiranës. Inkuadrimi i Jusuf Pashës në rolin e të deleguarit të sulltanit dhe tradhtia e Hamza Kastriotit përshkruajnë skenën e pesëmbëdhjetë. Dorëshkrimin e mbyll biseda e Hamzait me Jusuf Pashën.
Për fund, duhet thënë se ky dorëshkrim mban në vete disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por, më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë, duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë në dritë pozitive, por asnjëherë më shumë sesa e meritojnë. /Telegrafi/