Sam Altman dhe Greg Brockman, dy drejtues të lartë në OpenAI, të cilët u larguan nga kompania pas një takimi dramatik të bordit të premten, po flasin sërish me anëtarët e bordit për rikthimin në start-upin e Inteligjencës Artificiale (AI).
Kështu së paku, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, kanë thënë dy njerëz me njohuri për këtë çështje.
Siç thuhet më tej, diskutimet pasojnë një zhvillim kur Altman, 38 vjeç, u largua nga roli i tij si shef ekzekutiv i OpenAI.
Që atëherë, investitorët e OpenAI dhe mbështetësit e Altman kanë ushtruar presion ndaj anëtarëve të bordit të start-up-it për të rikthyer Altman-in, citohet të kenë thënë gjashtë njerëz me njohuri për situatën.
Ata, siç thuhet më tej, folën në kushte anonimiteti sepse bisedimet janë konfidenciale.
Microsoft, i cili ka investuar 13 miliardë dollarë në OpenAI, ishte duke udhëhequr fushatën e presionit, tha një nga njerëzit.
Investitorët e OpenAI që kanë shprehur mbështetje për rivendosjen e Altman ishin gjithashtu të gatshëm të investonin nëse ai do të fillonte një kompani të re, diçka që ai filloi të diskutonte pothuajse menjëherë pasi u detyrua të largohej, thanë burimet.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci që Altman ose Brockman do të rikthehen në OpenAI, thanë njerëzit.
OpenAI, Microsoft dhe Thrive Capital nuk pranuan të komentojnë.
Por Verge më herët raportoi se bordi i OpenAI po fliste me Altman për kthimin e mundshëm në kompani.
Diskutimet e reja midis Altman, Brockman dhe bordit të OpenAI ishin kthesa e fundit në një dramë të shpejtë në atë që është ndoshta kompania e profilit më të lartë në botë të AI. /Telegrafi/