Agjenti i Radu Dragusin ka rrezikuar zemërimin e mbështetësve të Tottenhamit duke pretenduar se ai e sheh klientin e tij në Real Madrid në ‘tre ose katër vitet e ardhshme’, përpara se të përfundojë një lëvizje në veri të Londrës.
Tottenham ka nënshkruar me qendërmbrojtësin 21-vjeçar nga Genoa për 30 milionë euro.
Dragusin kishte refuzuar një lëvizje te kampioni gjerman Bayern Munich për t’u transferuar në Tottenham, me marrëveshjen që tashmë u konfirmua.
Florin Manea ka thënë për gazetën rumune “Digisport” se mbrojtësi synon të luajë për Real Madridin në të ardhmen.
“Unë po shikoja një foto nga koha kur filluam së bashku në Juventus, po shikoja se sa i dobët ishte ai”, deklaroi Manea.
“Ne jemi vetëm në fillim të rrugës, duam që ata të arrijnë klubet më të mira në botë. Ne ishim afër, Bayerni është ndër klubet më të mëdha, por ëndrra e tij është Reali”.
“Nëse ai do të ishte 23-24 vjeç dhe do të kishte më shumë përvojë, ndoshta do të kishte vendosur të shkonte në Bayern, por kam pasur parasysh edhe moshën dhe konkurrencën, kam marrë parasysh shumë gjëra. Në tre apo katër vjet e shoh atë në Real Madrid”, ka shtuar më tej agjenti i rumunit. /Telegrafi/