Në takimin e së premtes të Këshillit të Evropës është paraparë që të adresohet çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Në draft dokumentin e Këshillit të Evropës, që tregon për konkluzionet në lidhje me Procesin e Zgjerimit dhe të Stabilizimit dhe Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën ku përmendet Kosova thuhet se: “Këshilli mirëpret ratifikimin nga ana e Kuvendit të Kosovës, të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018, e cila përbën përmbushjen e njërit prej kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan Telegrafi.
Po ashtu KE-ja ka theksuar edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), duke e inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me zbatimin e saj.
Tutje në këtë draft dokument, Këshilli i Evropës ka kritikuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se “Kuvendi duhet ta përmirësojë ndjeshëm performancën si forumi kryesor i punës legjislative. Këshilli shpreh shqetësimin e tij për incidentet e përsëritura të dhunës në Kuvend lidhur me demarkacionin me Malin e Zi”.
“Këshilli i bënë thirrje Kosovës që të intensifikojë urgjentisht përpjekjet e saj për të përmirësuar sundimin e ligjit, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit. Kosova ka nevojë të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Në këtë draft dokument flitet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Gjykatën Speciale dhe shumë tema tjera.
Ky draft dokument flet edhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën, Serbinë dhe Turqinë. /Telegrafi/