Site icon Telegrafi

Dr. Haxha thotë: PTK është “torta” që synon ta ndajë politika

Ish-Kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Dr. Shyqyri Haxha, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se tentativat për privatizimin e PTK-së nuk kanë qenë mirë të menduara mirë dhe se këto tentativa kanë pasur qëllime jo të mira. Sipas tij, Qeveria e kaluar duhet të japë përgjegjësi për degradimin e PTK-së dhe rënien e vlerës së saj.

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

Profesori i Menaxhmentit në Britani të Madhe thotë se PTK-ja duhet të zhvillohet, t’i rritet vlera, në mënyrë që të bëhet atraktive për kompanitë ndërkombëtare të telekomit e pastaj të privatizohet.

Në PTK gjithçka dirigjohet nga politika

Telegrafi: Çfarë duhet të bëjë Qeveria e re me PTK-në? Siç dihet, një herë ka dështuar shitja e 75 për qind të aksioneve të PTK-së…
Haxha: Qeveria asnjëherë nuk ka angazhuar dhe nuk ka konsultuar ekspertë vendorë me përvojë të dëshmuar ndërkombëtare që të marrë vendime të interesit nacional. Qeveria më shumë ka qenë e interesuar që përmes kompanive këshillëdhënëse – që kanë kushtuar me multimiliona – të arrijë qëllimet, por që ato të shmangin përgjegjësinë në vendimmarrje të përpilimit të strategjisë së shitjes. Asnjëherë nuk është shpjeguar se pse 75 për qind, e pse jo p.sh. 65 për qind, 60 për qind apo 51 për qind! Apo, 49 për qind apo 99 për qind? Pra, logjika e shitjes se 75 për qind të aksioneve dhe mbajtja në pronësi të shtetit e 25 përqindëshit nuk kishte asnjë analizë të mirëfilltë – as ekonomike e as shtetërore.

Ju po e shihni se në çdo koalicion qeveritar PTK-ja pothuajse është pjesa e kryesore që bashkon apo edhe prish koalicionin qeveritar. Pra, është si një pjesë e “tortës” që tentohet të ndahet, por kjo “tortë” deri më sot u ka mbetur në fyt.

Tentativat për shitje të PTK-së nuk ishin të menduara mirë, sepse më shumë kishin prapavijë tjetër e jo për të sjellë kompani të fuqishme botërore të telekomit. Kushtet e shitjes apo të privatizimit kanë qenë të dizajnuara me ndikime politike dhe aranzhime paraprake nga blerësit potencialë.

Se çfarë do të bëjë kjo Qeveri me PTK-në, kjo mbetet të shihet. Ajo që është shumë brengosëse është se pse duhet që PTK-ja të jetë pjesë e marrëveshjeve të koalicionit!? A nuk po e shihni ju ndikimin direkt në PTK? Ende pa u formuar Qeveria, bisedohet dhe bëhen planet për PTK-në!

Qeveria e kaluar duhet të japë sqarime se pse u degradua PTK-ja deri në këtë masë. Gjithashtu, edhe kjo Qeveri mban përgjegjësi për lejimin e degradimit të mëtejmë të PTK-së. Për PTK-në deri sot nuk ka pasur as vullnet e as ekspertizë nga Qeveria që ta rris dhe privatizojë.

PTK-ja duhet të zhvillohet, t’i rritet vlera, në mënyrë që të bëhet atraktive për kompanitë e njohura botërore që duan të hyjnë në tregun e Kosovës. Sjellja e këtyre kompanive të fuqishme të telekomit do të ishte storja më e madhe e suksesit të pasluftës për ekonominë e vendit. Se a do të arrihet kjo, dyshoj shumë, pasi interferimet politike janë të paevitueshme. Ai menaxher që reziston ndaj këtyre ndërhyrjeve politike mund ta pësojë keq, sepse pozita e tij vendoset nga politika, siç është edhe Bordi kryekëput politik dhe siç bëhet zgjedhja e drejtorit të PTK-së. Bordi është aty për të mbushur formularë e që ta bëjnë një mbulesë në përzgjedhjen e drejtorit. Kështu, para së të shpallet konkursi, Bordi e di se kush do të jetë drejtor.

Për fat të keq, këto pazare politike që nuk do të duhej të ndodhnin.

Bordi duhet të jap llogari për degradimin e PTK-së

Telegrafi: A duhet të investohet në PTK para se të shkohet me privatizimin e saj?
Haxha: Kjo është pyetje shumë e vështirë. Pse u ndaluan investimet dhe pse u lëshuan investimet, kjo nuk është sqaruar asnjëherë. Duhet të dihen qartë fazat që u ndaluan, pse, si e me çfarë qëllimi.

A do të arrihet që më sukses të implementohet 4G, unë dyshoj. Por, edhe nëse implementohet, atëherë për kë u investua? Konsumatorët kanë humbur, lojaliteti i konsumatorit është përdhosur. E, konsumatori nuk manipulohet lehtë. Ata kanë ikur dhe vështirë se do të kthehen.

Këtyre ditëve u raportua në media për iniciativën e Bordit dhe Menaxhmentit të PTK-së për uljen e pagave të punëtoreve të PTK-së në emër të të ashtuquajturit “nivelizim”, “ristrukturim” apo “ndaljes së trendit të degradimit të mëtutjeshëm të PTK-së”. Ky hap nuk është asgjë tjetër veçse një veprim që dëshmon qartë mungesën e kompetencës dhe të profesionalizmit të tyre. Kjo masë drastike do ta dëmtojë edhe më tutje motivin – edhe ashtu të zymtë – të stafit të PTK-së. Rrjedhimisht ky vendim në të ardhmen do ta dëmtojë edhe më shumë PTK-në.

Shtrohet pyetja: a mos është Bordi dhe Menaxhmenti në panik nga dëmi që i është bërë kësaj kompanie në tri vitet e fundit? A po ndoshta po mundohen që në momentin e fundit të “dalin me fytyrë nga dështimi i tyre”, me një strategji “magjike” që si zakonisht ekspertët profesionalë dhe me kompetencë të dëshmuar nuk janë në gjendje ta kuptojnë?

Telegrafi: Çfarë hapash sipas jush duhet të ndërmerren që të shpëtohet PTK-ja?
Haxha: Së pari duhet të largohet ky Bord, sepse ka dështuar në udhëheqjen e PTK-së; ka dështuar në përzgjedhjen e drejtorit kompetent që të menaxhojë. Ky Bord duhet të japë llogari dhe përgjegjësi para aksionarit se pse ndodhi degradimi kaq i madh i PTK-së. Ky Bord nuk ka të drejtë as ligjore e as morale të zgjedh drejtorin e ri të PTK-së, sidomos pas shkarkimit të drejtorit të kaluar. Ai drejtor ishte përzgjedhur nga ky Bord dhe ishte lejuar që ta degradojë PTK-në.

Pra, ky Bord ka dështuar që të përzgjedh një drejtor kompetent që ta rris vlerën e PTK-së, andaj nuk duhet të lejohet të marr vendime strategjike përderisa është i dështuar. Bordi duhet të largohet së bashku me pjesën me të madhe të Menaxhmentit aktual. Pastaj, duhet të përzgjidhet një Bord tërësisht apolitik që do të hapte një konkurs ndërkombëtar për zgjedhjen e Kryeshefit të ri ekzekutiv.

Për këtë duhet të përpilohet një strategji, me afat të caktuar e që me masa efikase dhe profesionale të rritet vlera e PTK-së. Pastaj duhet të ndodh privatizimi, që të sillen investitorët me renome e standard të lartë që do t’ia dalë t’i ruaj vendet edhe e punës. Nga rritja e vlerës së PTK-së varen investitorët e duhur që shmangin shqetësimet se do të interesohen kompani joserioze e të dyshimta. Mu për këtë konsideroj se transparenca duhet të jetë në nivel shumë të lartë.

Shërbimet e Telekomit janë bërthama e ndërtimit të shëndosh të një shteti, andaj në këtë aspekt duhet të merren parasysh edhe aspekti i sigurisë si dhe interesi nacional me rastin e privatizimit.

Telegrafi: Sa keni qenë në krye të PTK-së, a ka pasur rezultate pozitive? A do të riktheheshit përsëri në krye të PTK-së?
Haxha: Unë kame qenë i gatshëm që të japë kontributin, por jo me ketë Bord. Jam i vetmi në historinë e pasluftës së Kosovës që kam dëshmuar rritjen e vlerës së PTK-së në kushte të konkurrencës dhe i vetmi që kam arritur ta kompletoj mandatin tim trevjeçar me sukses. Figurat financiare, shërbimet, numri i konsumatorëve, niveli i investimeve, çmimi i shërbimeve, luftimi i dukurive negative dhe pjesëmarrja në treg tregojnë më së miri rezultatet e arritura. Shikoni ku ishte PTK në vitet 2009-2011 dhe shikoni se ku është sot.

Telegrafi: Çfarë jeni duke bërë aktualisht në Britani të Madhe?
Haxha: Jam ligjërues në Universitetin Bedforshire që ka mbi 24 mijë studentë, në studimet bazike, master dhe doktoraturë në temat që ndërlidhen me menaxhimin e telekomit. Me një fjalë përgatis kuadro që nesër të jenë kryeshefë të kompanive botërore të telekomit. Kam një eksperiencë që vlerësohet nga Universiteti dhe kompanitë me të cilat ne bashkëpunojmë. Jam shumë i lumtur me punën dhe suksesin që kam arritur dhe ndihem krenar që kam mundur të jap kontribut edhe për Kosovën. /Telegrafi/

Exit mobile version