Site icon Telegrafi

Dosja “Partizani”, Berisha në SPAK: Ky institucion nuk do të ekzistojë, duhet të shuhet me çdo kusht

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK në orën 10:00 i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj. Në dyert e SPAK, Berisha është pritur nga mbështetës të tij.

Pasi u paraqit në SPAK, Berisha në një deklaratë për mediet e cilësoi si “grusht shtetit brenda shtetit” tubimin në mbështetje të Erion Veliajt.

“Në historinë e botës ka me qindra raste protestash opozitare apo grupe interesi para gjykatave dhe prokurorive në çdo kryeqytet të botës. Por protestë shtetërore, protestë e organeve shtetërore, ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit”, tha Berisha.

Berisha po ashtu e cilësoi drejtuesin e SPAK Altin Dumani, si “kreu i organizatës kriminale”.
“Pasi u paraqita, i lashë Altin Lalës letrën që vijon: Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitë të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë. Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do ketë në Shqipëri. Firmosur, Sali Berisha”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se kur të vij në pushtet institucioni i SPAK “nuk do të ekzistojë”.

“Unë ndjej keqardhje se rrëmbeheni nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht. Së pari, ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu. Dhe ju, njerëz të medieve, duhet ta denonconi këtë në mënyrën më të fuqishme”, the Berisha.
Sipas Berishës “fatmirësisht mbështetja kryesore ndaj kësaj organizate kriminale, atje ku i iniciua, atje ka rënë përtokë”.

Vetë Berisha në një konferencë për mediet të premten e 14 shkurtit, i cilësoi grumbullimet në mbështetjet të tij para ambienteve të SPAK si “konferenca shtypi”.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Kreu i Partisë Demokratike është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Exit mobile version