Nga: Agron Islami
Pa dyshim që Ismail Qemali i takon plejadës së artë të intelektualëve të shekullit më të gjatë osman. U rrit në familjen e madhe shqiptare, e cila për shekuj me radhë kishte qenë pjesë e udhëheqjes brenda Perandorisë Osmane, duke i dhënë shumë funksionar shtetëror kësaj perandorie. Ishte njëri nga pinjollët e familjes së Vlorajve, siç njihet edhe në dokumentacionin zyrtarë osman (Avlon-ja), që personalitetin e tij e formoi në frymën dhe traditën e familjeve shqiptare.
Historiku i shkollimit të tij, nuk ndryshon aspak nga paraardhësit e tij të familjes, por që rrethanat politike në Perandorinë Osmane të shekullit kur jetoi dhe veproi Ismail Qemali, bën që ky i fundit të dallohet edhe për patriotizëm (në një kohë kur vlonte nacionalizmi), gjë të cilën e realizonte nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në politikën osmane. Ai, si baba i shtetit shqiptarë, ishte dhe mbetet njëri nga burrat më të shquar të kombit shqiptar.
***
Si çdo funksionar osman, edhe Ismail Qemal Beu kishte dorëzuar dosjen e jetëshkrimit të tij në administratën osmane, e cila duhet jetë deponuar në kohën kur ai filloi karrierën e tij si nëpunës osman në zyrën e përkthimit në Ministrinë e Jashtme osmane.
Sipas kësaj dosje të regjistrit civil osman, Ismail Qemali lindi më 04 shkurt 1847. Ishte i biri i kryeportierit të Sarajit Osman, Mahmud Nedim Beut, i cili vinte nga soji i Sinan Pashës. Mësimet fillestare të shkencave islame i kishte marrë në mejtepet (shkolla) fillore në Selanik dhe në Vlorë. Njëherësh, gjatë kësaj periudhe mësoi edhe gjuhën arabe dhe perse nga një mësues privat, të cilin e kishte angazhuar familja. Formimin e tij intelektual e vazhdoi në gjimnazin “Zosimea”, ku mori mësime mbi morfologjinë dhe sintaksën e greqishtes së vjetër, latinishtes dhe frëngjishtes. Në kuadër të skemës programore të gjimnazit në fjalë, Ismail Qemali kishte ndjekur edhe lëndët: letërsi, aritmetikë, algjebër, gjeometri, trigonometri, fizikë, kimi, astronomi, psikologji, anatomi e njeriut, gjeografi dhe histori e botës. Regjistri osman vë në pah se Ismail Qemali shkruante gjuhën turke, greke dhe frënge, fliste gjuhën shqipe dhe lexonte latinishten. Sipas këtyre të dhënave, ai ka edhe një vepër të botuar me titull Aplikimi i ideve, i cili trajton çështje të filozofisë dhe shkencës.
Karriera burokratike në administratën osmane
Sa u përket të dhënave për kontributin e Isamil Qemalit në administratën osmane, shohim se, ai qysh në moshën 16 vjeçare, respektivisht nga muaji maj i vitit 1860, u caktua nëpunës në Zyrën e Përkthimit të Portës së Lartë Osmane. Një vit më pas, (mars 1861), u emërua atashe i Ambasadës Osmane në Paris, por për shkaqe të panjohura (në regjistrin osman thuhet, për arsye personale) nuk u paraqit në detyrën e përcaktuar. Një vit më vonë, (gusht 1862), u emërua në Sekretariatin e Korrespodencës me Jashtë, pranë Vilajetit të Janinës. Ndërsa pas 18 muajve, iu besua posti i kryetarit të bashkisë të sapoformuar të Janinës. Rreth një viti më vonë (shtator 1864), kontributin e tij e vazhdoi në cilësinë e asistentit të guvernatorit të Tërhallës, Ismail Rahmi Pashës nga Tepelena. Më 1865 rikthehet në Stamboll, ku punon në zyrën e Përkthimit të Portës së Lartë. Pas një viti (maj 1866), emërohet sekretar i Byrosë së Korrespondencës së Vilajetit të Danubit me rrogë prej 2 500 groshë. Nga cilësia e sekretarit të Byrosë, për dy muaj me radhë mbuloi edhe detyrën e kolumnistit në gazetën zyrtare të Vilajetit, e po ashtu si punë shtesë iu besua edhe posti i drejtorit të Punëve të Jashtme në Vilajetin në fjalë. Njëherësh, nga muaji mars i vitit 1868, u caktua edhe në postin e kryesekretarit të Kuvendit Administrativ të Vilajetit të Tërhallës.
Nga detyrat e shumta në Vilajetin e Tërhallës, Ismail Qemali në qershor 1868 ushtroi detyrën e kryendihmësit të Zyrës Juridike të Këshillit Shtetëror, me një rrogë prej 4 000 groshë. Pas 16 muajve (tetor 1869), do të ngrihet në postin e mytesarifit të Varnës në Bullgari, me një rrogë prej 12 200 groshësh. Ndërsa në muajin shkurt 1870, iu bashkua Kryesisë së Komisionit Evropian të Danubit dhe u emërua Mytesarrëf i Tullxhës në Rumani, me rrogë prej 14 000 groshë. Në këtë pozitë qëndroi plot tre vjet.
Sixhili osman nuk jep informacion mbi aktivitetin e Ismail Qemalit gjatë periudhës 1873-1876, respektivisht deri në muajin gusht të vitit 1876, kur emërohet në Sekretarinë e Ministrisë së Jashtme. Megjithatë, është i njohur fakti se që nga viti 1873, së bashku me konsullin anglez, Mr. Meyers, kishin në pronësi një minierë linjiti. Ndërsa, në vitin 1875, për dy muaj qëndroi në Angli ku zhvilloi takime me ministrin e Jashtëm dhe atë të Financave, si dhe pa nga afër politikat fiskale dhe qeverisjen lokale britanike. Këto kontakte erdhën si rezultat i raporteve të gjata që kishte mbajtur me përfaqësuesit e parlamentit britanik, ku përmes letërkëmbimeve me Mr. York, Wydham dhe Bruce, shkëmbenin ide për gjendjen në Ballkan. Ndërsa nga muaji shtator i vitit 1876, emërohet anëtar i Komisionit të Jashtëzakonshëm të Plovdivit në Bullgari dhe kryetar i Komisionit të Jashtëzakonshëm në Slivenit të Bullgarisë, po ashtu.
Etapa 1877-1912 karakterizohet me vitet e disidencës së Ismail Qemalit karshi sistemit klasik osman. Respektivisht, Ismail Qemali do të qëndrojë krah për krah me Mithat Pashën i cili njihej për qëndrime reformiste të Perandorisë Osmane. Në kuadër të kësaj qasjeje, nga pozita e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme organizonte takime me Mithat Pashën, sidomos gjatë muajve kur Sulltan Murati V ishte i sëmurë dhe nuk ishte në gjendje të drejtonte shtetin.
Me shpalljen e konstitucionit më 1876, Mithat Pasha erdhi në pozitën e sadriazamit (kryeministrit) dhe Ismail Qemali ruajti pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai u qëndronte besnik ideve të Mithat Pashës, të cilat parashihnin reformë të thellë nëpër njësitë administrative osmane dhe ku parashihej që Vilajetet e banuara me shqiptarë të bashkohen në një njësi administrative të vetme, të quajtura Vilajeti Shqiptar. Besnikërinë ndaj Mithat Pashës do ta shprehte edhe në organizimin e mbledhjes së nënshkrimeve nga 40 deputetë të parlamentit osman që kërkonin zhbërjen e vendimit të Abdylhamitit II për syrgjynosjen e Mithat Pashës.
Depërtimi i ushtrive ruse deri në Ardahan krijoi një realitet të ri në qendrën e Perandorisë Osmane, i cili u përcoll me protesta të grupacioneve që dhunuan edhe hapësirat e Parlamentit osman. Si pretekst i kësaj gjendjeje, Sulltani mbylli Parlamentin, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe syrgjynosi Ismail Qemal Beun në Kytahja. Në vitin 1884, Sulltani shpalli amnisti për Mithat Pashën dhe Ismail Qemalin po ashtu. Këtij të fundit ia riktheu të gjitha gradat dhe e ngarkoi me detyrën e mytesarifit në Mardin dhe Bollu (të Turqisë së sotme).
Bashkëpunimi i Ismail Qemal Beut me Portën e Lartë dhe Sulltan Abdylhamitin II shihet edhe në raportet që ky hartonte me tematikë gjendjen politike dhe administrative të perandorisë. Këto raporte i bënte herë me kërkesën e Sulltanit e herë me iniciativë personale. Njëherësh është i njohur fakti se, me lejen e Sulltanit, Ismail Qemali, kishte qenë njëri nga aksionarët e dy kompanive që kryenin punimet e hekurudhës osmane. Nga këtu, më 14 dhjetor 1891 emërohet vali (guvernator) në Bejrut (Liban) me një rrogë prej 20 000 groshëve. Ismail Qemali nga data 12 prill 1900 deri me 20 qershor 1900 kishte qenë në detyrën e valiut (guvernatorit) të Tripolit.
Bashkëpunimi me xhonturqit dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë sipas medies osmane të kohës
Edhe pse studiuesit e ndryshëm kanë konstatuar se emërimi i Ismail Qemalit në postin e guvernatorit në Tripol u bë shkak që ky të rreshtohet me krahun e xhonturqve, ngase këtë emërim e konsideronte si një lloje syrgjynosje që i ishte bërë nga ana e Sulltanit, aktiviteti i tij politik dhe simpatia e madhe që ndjente ndaj Mithat Pashës na çon te shpirti i tij reformist dhe interesi kombëtar. Njëherësh, një personalitet me karrierë të gjatë politike në ujërat e shekullit më të gjatë osman, siç ishte Ismail Qemali, veçse e kishte shumë të qartë faktin që Perandorisë Osmane po i vinte fundi dhe ishte mundësia e fundit, po ashtu, që të ruhej identiteti shqiptar dhe kjo mund të bëhej vetëm nëpërmjet rrugëve juridike, respektivisht krijimit të një njësie të veçantë administrative që do të përfshinte gjithë hapësirën shqiptare. Mbi këtë bazë, doli kundër Sulltanit dhe u rreshtua me xhonturqit. Meqë, këta të fundit, me qëllim të tërheqjes së intelektualëve shqiptarë, në fillim kishin proklamuar reformën administrative dhe shihej një dritë në fund të tunelit për themelimin e Vilajetit Shqiptar. Por, siç do të shihet më vonë, politikat qeverisëse të xhonturqve ishin kryekëput nacionaliste dhe si të tilla ato dëmtonin edhe më shumë idealin e Ismail Qemalit dhe të intelektualëve të tjerë shqiptarë. Për rezultat, Ismail Qemali, i ndau rrugët njëherë e përgjithmonë nga Porta e Lartë dhe filloi së kërkuari ndihmën e shteteve të fuqishme evropiane për themelimin e shtetit shqiptar.
Duke qenë se Vilajetet Shqiptare luanin rolin e fortifikatës së fundit në Rumelinë Osmane (Ballkanin e Sotëm), çështja e fatit të Shqipërisë dhe shqiptarëve zënë një vend të rëndësishëm në gazetat osmane të kohës. Sikur vije fjala në njërën ndër gazetat më të njohura osmane Tercuman-i hakikat, e cila ndër tjera theksonte se: Kërkesa për pavarësimin e Shqipërisë është mjaft e rrezikshme për vetë popullin. Meqë, Shqipëria është e rrethuar me popuj të ndryshëm, të cilët ushqejnë armiqësi ndaj shqiptarëve dhe ndarja nga shteti osman do t’i shkatërronte ata.
Ndërsa, gazeta Ikdam, në numrin e datës 2 dhjetor 1912, ndër të tjera i jepte hapësirë një interviste të një intelektuali shqiptar. Në intervistën në fjalë, ndër të tjera thuhet: Çështja e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë është më se e vërtetë dhe është (një) risi. Përveç Ismail Qemalit, edhe intelektualët e tjerë shqiptarë e kanë mbështetur dhe përkrahur pavarësinë e Shqipërisë. Madje, kjo ka marrë mbështetjen edhe të intelektualëve që veprojnë jashtë hapësirave të Shqipërisë. (Njëherësh) Përveç shumicës myslimane, edhe të krishterët katolikë dhe ortodoksë kanë qenë pjesë e evenimentit të shpalljes së pavarësisë.
Gazeta Sabah, në numrin e datës 1 dhjetor 1912, në një kolumne me titull Shqipëria dhe Serbia, ndër të tjera shkruante: Pavarësia e Shqipërisë është mjaft e dyshimtë. Një qeverie të pavarur i duhen shumë para për të mbijetuar. Andaj, është një pikëpyetje e madhe se si do të sigurohen këto para për të mbijetuar kjo qeveri shqiptare. Njëherësh, edhe qeveritë e tjera të Ballkanit, të cilat sapo kanë dalë nga lufta për pavarësi, nuk do ta shohin me sy të mirë themelimin e një shteti të ri. Nuk mund as të mendohet për një marrëveshje paraprake të Ismail Qemalit me Malin e Zi dhe me Serbinë. Atëherë, akti i shpalljes së pavarësisë do të jetë shumë ngacmues (luftënxitëse) për serbët dhe grekët. Shqiptarët kërkojnë të gjithë hapësirat e banuara me shqiptarë. Por që, edhe serbët edhe grekët do të kenë kërkesa të njëjta për disa vendbanime. /Telegrafi/