Janë liruar nga qelia tre nga pjesëtarët e fisit Rraja, të cilët u arrestuan pas konfliktit dhe dhunës të ushtruar ndaj dy pjesëtarëve të fisit Maja.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për shtetasit Andi Rraja, Ineid Rraja dhe Eni Kullaj.
Bëhet me dije se masa “Arrest në burg” për tre nga të pandehurit është shuar për shkak të tejkalimit të afateve.
Ndërkohë, që në lidhje me këtë dosje vijojnë të jenë të shpallur në kërkim shtetasit Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja.
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për anëtarët e fisit Rraja, të cilët akuzohen për dhunën barbare ndaj dy kushërinjve, Bilbil e Jashar Maja në muajin korrik.
Ata janë dërguar në gjyq me akuzat e “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “kanosje”.
Megjithëse kushërinjtë Maja kërkuan ekspertim të ri mbi dëmtimet e dhunës barbare, grupi i ekspertëve që e hartoi doli në konkluzionin se dëmtimet janë kryer me mjet të fortë prerës, por nuk janë të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit.
Prokuroria e Tiranës ndryshoi akuzën për anëtarët e fisit Rraja nga “plagosje të rëndë me dashje, në bashkëpunim”, në “plagosje të lehtë me dashje”.
Dhuna ndaj dy pjesëtarëve të fisit Maja erdhi pasi këta të fundit denoncuan shkatërrimin e banesave të tyre nga gurorja e Rrajave në Borizanë. /euronews/al/