Drejtori i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke ka konfirmuar se Arsenali ka bërë një ofertë formale për sulmuesin e tyre, Pierre-Emerick Aubameyang.
Reprezentuesi i Gabonit ka shënuar 21 gola në 23 paraqitje deri më tani këtë sezon duke vazhduar me formë brilante.
Kjo formë ka bërë që Aubameyang të lidhet me një largim në afatin kalimtar të janarit nga Signal Iduna Park.
Pasi Dortmundi refuzoi një marrëveshje dhe kalim të sulmuesit të tyre te klubet kineze, tani është Arsenali që është vënë pas tyre duke e kërkuar si zëvendësues të Alexis Sanchezit.
Me sulmuesi kilian që është afër zyrtarizimit te Manchester Unitedi, Arsenali po shikon të investojë dhe sipas Goal.com kanë arritur marrëveshje personale me Aubameyangun dhe Henrikh Mkhitaryanin.
Arsenali gjithashtu ka bërë ofertë për sulmuesin e Gabonit edhe te Dortmundit dhe këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i klubit, Watzke.
“Mund të konfirmoj se ka pasur një kërkesë të parë nga Arsenali për Pierre-Emerick Aubameyang dhe nuk mund të komentojmë shifrat e ofruara nga Anglia”, ka thënë Watzke për Ruhr Nachrichten.
Aubameyang u bashkua me Dortmundin në vitin 2013, dhe 28-vjeçari mban rekordin e golave në Signal Iduna Park me 141 gola të shënuara në vetëm 212 paraqitje. /Telegrafi/