Një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Artit në Uashington, hulumton punën e fotografes legjendare Dorothea Lange që ka fiksuar disa nga imazhet më prekëse që ndonjëherë janë shkrepur për varfërinë, vështirësitë dhe qëndrueshmërisë e jetës amerikane në shekullin XX, shkruan Cath Pound për BBC, transmeton Telegrafi.
Gjatë karrierës së saj 50-vjeçare, Dorothea Lange krijoi disa nga fotografitë më ikonike të shekullit XX. Nga Radha për bukë e engjëllit të bardhë [White Angel Breadline] e deri te veprat e saj prekëse për japonezo-amerikanët të cilëve ua mohonin të drejtat gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lange mishëroi humanizmin e njerëzve të mbërthyer nga ngjarjet që ishin jashtë kontrollit të tyre.
Lange e filloi karrierën si fotografe në studio dhe eksperimentimi i parë jashtë studios ishte gjatë udhëtimeve me bashkëshortin e saj të atëhershëm, artistin Maynard Dixon. Por, ishte Kriza e Madhe Ekonomike ajo që e nxiti t’i drejtohej fotografisë dokumentare. “Në ditët e para të krizës në San Francisko, i shihte nevojtarët nëpër rrugë. Ishte përvoja e pamjes nga një gjë që nuk ishte e drejtë dhe kjo e shtyri të dilte dhe të kërkonte diçka për të reaguar”, thotë Philip Brookman, kurator i ekspozitës Dorothea Lange: Të shohësh njerëzit [Dorothea Lange: Seeing People] të hapur në Galerinë Kombëtare të Artit në Uashington. “Besonte se fotografitë mund të ndihmojnë të ndryshojnë mendjet e njerëzve”.
Gjatë gjithë karrierës së saj ishte “ndjenja e empatisë dhe aftësia e saj për t’u lidhur me njerëzit”, gjë që e bëri fotografe kaq të mirë, shton Brookman. Për BBC, ai ka zgjedhur 10 nga veprat e saj kryesore.
/Telegrafi/