Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” ka bërë të ditur se ka dorëzuar të martën kallëzim penal në Prokurorinë Speciale (PSRK) kundër ish-komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar dhe tash nënkryetar i Parlamentit të Serbisë, Bozhidar Deliq.
Udhëheqësja e kësaj organizate, Shkëndije Hoda, tha se janë tri kallëzime penale që janë dorëzuar, ku kanë bashkëngjit disa dokumentacione faktike të një lloj ditari të operimit të “Brigadës 549 të Motorizuar” nën komandën e Deliqit.
“Ne i dorëzuam edhe pse procedurat paksa kanë ndryshuar .. pak kemi qenë të pakënaqur po prapëseprapë kemi marrë fjalë të mira. Ne do të kthehemi të marrim edhe konfirmimin e pranimit të materialit”, tha ajo.
“Ne jemi OJQ… Ne sjellim fakte dhe Policia e Prokuroria kryejnë detyrat. Nuk janë të obliguar që ta na informojnë… ata që duhet të informohen jeni ju, e ju të na informoni neve”, u shpreh para mediave Hoda.
Përfaqësuesi tjetër i kësaj shoqate, Gjokë Sokoli tha se kanë prova të mjaftueshme që Deliq ka kryer krime në popullsinë civile në Kosovë, duke shpresuar që i njëjti nuk do të shpëtojë nga drejtësia.
“Ne sot kemi ardh nga Gjakova dhe kemi dorëzuar kallëzimin penal lidhur me Bozhidar Deliq. I njëjti ka qenë gjeneral i ushtrisë në kohën e luftës, këto dokumente vërtetojnë se jo vetëm policia serbe ka bërë krime vetëm në civil, por edhe ushtria serbe. Ne kemi dëshmi që të njëjtin e kanë njohur edhe njerëzit sepse detyrën e kryente në rroba civile, jo në uniformën e ushtarakut. Ka qindra dëshmi dhe besoj që ky person do të bjerë në dorë të Hagës”, deklaroi ai. /Telegrafi/