Site icon Telegrafi

Dorëzohet burri që qëndronte i armatosur para ndërtesës së OKB-së në New York

Ka përfunduar kriza disa orëshe në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, e shkaktuar nga një person i armatosur i cili po qarkullonte me armë gjahu rreth godinës së këtij institucioni gjersa policia tha se personi ndodhet në paraburgim.

Pas raportimeve se një burrë rrotullohej rreth ndërtesës së OKB-së, policia në qytet dërgoi anëtarë të disa departamenteve të policisë në vendngjarje, me ekipet negociuese që luanin rolin më të madh në zgjidhjen e krizës, duke e bindur atë të dorëzohej.

Siç thuhet, burri ka deklaruar gjatë arrestimit se Kombet e Bashkuara kanë një ndikim negativ në botë dhe se në këtë mënyrë ka dashur të “shpreh” pakënaqësinë e tij.

“Personi ndodhet në paraburgim dhe nuk përbën kërcënim për publikun. Megjithatë, qytetarët do të duhet të vazhdojnë të shmangin këtë zonë dhe të presin vonesa në trafik”, njoftoi policia.

Duke qenë se burri ndodhej në afërsi të selisë së Kombeve të Bashkuara, edhe punonjësit e këtij institucioni kaluan disa orë të mbyllur në godinë. Pasi burri u arrestua, zyrtarët rifilluan aktivitetet e tyre të rregullta. /Telegrafi/

https://twitter.com/theragex/status/1466479994264342531

Exit mobile version