Site icon Telegrafi

Dorëzimi i trupave të viktimave nuk do të bëhet derisa nuk përfundon procedura e autopsisë ndaj të gjitha kufomave, thotë Stankov

Vazhdon edhe më tej procedura e autopsisë për vërtetimin e shkaqeve të vdekjes dhe identitetit të 59 viktimave që humbën jetën nga zjarri që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën “Pulse” në Koçan. Të gjitha kufomat janë në Institutin për Mjekësi Ligjore në Shkup. Drejtori i Institutit, Aleksandar Stankov, për Alsat tha se dorëzimi i trupave të viktimave nuk do të bëhet derisa nuk përfundon procedura e autopsisë ndaj të gjithë trupave.

“Trupat do të transportohen atëherë kur të përfundojnë të gjitha autopsitë dhe kur të kemi identifikim pozitiv të të gjitha viktimave. Autopsitë bëhen në mënyrë paralele e cila është vetëm fillimi i procesit të identifikimit. Merren materiale dhe bëhen analiza të ADN-së dhe kontrollohen shenjat në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur t’i përfundojmë të gjitha këto procese, atëherë kur të shohim se kemi përfunduar të gjitha autopsitë dhe identifikim pozitiv, do të fillojmë me dorëzim të viktimave”, deklaroi Aleksandar Stankov – Drejtor i Institutit për Mjekësi Ligjore.

Drejtori Stankov thotë se në raste të tilla tragjike, identifikimi i trupave është i vështirë por jo i pamundur. Nuk mund të jep afate se kur pritet të përfundojë e gjithë procedura.

“Shihni, ndaj të gjitha trupave mund të marrim shembuj për ADN, çdo fatkeqësi e tillë masive është e vështirë për identifikim, është e mundimshme, kërkon shumë vëmendje, shumë koncentrim, kërkon bashkëpunim të mirë mes ekipeve sepse këtu nuk janë të përfshirë vetëm të punësuar nga Instituti për Mjekësi Ligjore por edhe ekipe të MPB-së. Puna po shkon me ritëm të shkëlqyer, kemi bashkëpunim të shkëlqyer të ndërsjellë dhe pres që shumë shpejtë të përfundojë i gjithë ky proces”, tha Aleksandar Stankov – Drejtor i Institutit për Mjekësi Ligjore.

Përafërsisht edhe sa kohë ende ju duhet?

“Jo jo nuk dal me afate, vetëm mund t’u them se shpejtë do të përfundojë procesi”, u përgjigj Stankov.

Autopsi kryhet ndaj të gjithë 59 trupave, ndërsa identiteti duhet të zbulohet i 24 viktimave./Alsat/

Exit mobile version