Site icon Telegrafi

Dorëheqjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në veri, Haxhiu: Kemi bërë plan, puna po vijon normalisht

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi këtë të mërkurë se Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut janë duke funksionuar normalisht, përkundër dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë.

Për këtë çështje, ajo tha se është takuar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, me të cilët është koordinuar që institucionet e drejtësisë në veri të vijojnë punën si dhe që qytetarët të marrin shërbimet që ju nevojiten.

Ndonëse tha se nuk kanë raporte të mira me KPK-në dhe KGJK-në, shkaku i vettingut, Haxhiu shtoi se kur është në pyetje interesi nacional janë bërë bashkë.

“Pavarësisht mospajtimeve që mund t’i kemi kryesisht për vettingun, për çështje të interesit nacional kemi komunikime të vazhdueshme. Kam pasur takime me KGJK-në dhe KPK-në. Jemi koordinuar që Gjykata dhe Prokuroria në Mitrovicë të funksionojnë. Institucionet në veri po vijojnë punën dhe qytetarët po marrin shërbime”.

“KGJK ka bërë një plan për këtë dhe mund të them se Gjykata dhe Prokuroria në veri po funksionojnë. Lëndët po trajtohen dhe sfidë ka qenë dita e parë, por tash janë plotësuar këto vende”, deklaroi ministrja.

Ndryshe, më 5 nëntor, zyrtarët e Listës Serbe njoftuan se serbët në veri do të largohen nga institucionet, përfshirë ato të drejtësisë, të rendit, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – prokurorët dhe stafi mbështetës – dorëzuan dorëheqjet e tyre më 7 nëntor.

Kjo prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. /Telegrafi/

Exit mobile version