Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është pajtuar me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, i cili ka thënë se është duke i ndjekur me shqetësim dorëheqjet e tre policëve serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës.
Në një shkrim në rrjetin social “X”, ish Twitter, ka thënë se një vend multietnik kërkon një polici multietnike.
Rohde shtoi se policët, pa dallim cilit grup etnik i përkasin duhe ta kryejnë detyrën pa frikë.
“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, shkroi ambasadori Rohde.
Më herët edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për rastin në fjalë.
Të enjten ai ka thënë se po i përcjellë nga afër këto zhvillime, derisa ka theksuar se zyrtarët policorë duhet të punojnë pa kërcënime.
“Ndajmë plotësisht këto shqetësime dhe përsërisim përkushtimin tonë ndaj forcës policore multietnike të Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime. Po përcjell nga afër këto zhvillime”, ka shkruar ai pasi ka shpërndarë reagimin e shefit të EULEX-it në Kosovë.
Duhet theksuar se më nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.
Ndërsa, në korrik,74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës./Telegrafi/
I fully agree: A multi-ethnic country requires a multi-ethnic police. All Kosovo Police members – no matter which ethnic group they belong to – need to be able to perform their duties free from intimidation. https://t.co/1r1YY6PVYk
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 17, 2023