Gianluigi Donnarumma e ka rivënë në pah dashurinë për Milanin. Ai ka thënë se do të takohet me krerët e klubit për të diskutuar rreth rinovimit të kontratës.
Agjenti i portierit, Mino Raiola, i ka akuzuar drejtorët e Rossonerëve për sjelljet kundrejt klientit të tij, i cili deri më tani ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me klubin duke nxitur spekulime se do të largohet.
“Dua ta ripërsëris dashurinë time absolute për Milanin dhe tifozët. Tash e kam në mendje vetëm ekipin kombëtar, me të cilin shpresoj t’u jap një dhuratë gjithë mbështetësve”.
“Premtimi im është se porsa të përfundojë Evropiani (U-21), do të takohem me klubin, familjen dhe agjentin tim, për të diskutuar rreth rinovimit”, është shprehur Donnarumma.
Kjo deklaratë lë të kuptohet se portieri i ri mund ta vazhdojë qëndrimin te Milani, përkundër interesimeve të mëdha për të.
Kontrata aktuale e 18-vjeçarit është valide deri në qershor të vitit 2018. /Telegrafi/