Ish-portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, kthehet për herë të parë në San Siro prej se iu bashkua Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë, ndërsa pritet të shihet nëse do takojë një mjedis armiqësor në shtëpinë e tij të vjetër.
22-vjeçari vendosi të mos e vazhdonte kontratën me Rossonerët, e cila skadoi në qershor dhe e vazhdoi karrierën në kryeqytetin francez.
Ai vazhdon të jetë portieri kryesor i Italisë, ndërsa para se të shkonte te PSG e fitoi Kampionatin Evropian me Azzurrët.
Në një konferencë për shtyp para takimit gjysmëfinal të Ligës së Kombeve kundër Spanjës, Donnarumma deklaroi se do të jetë gjithmonë një tifoz i Milanit.
Megjithatë, që në vitin 2017, ishte shënjestruar nga një grup i ultrasve të Rossonerëve pas deklaratës së agjentit Mino Raiola se portieri e do largimin. Asokohe e kishte vazhduar kontratën, por ishte tallur duke i hedhur kartëmonedha dhe parulla të rreme ku shkruhej ‘Dollarumma’, për shkak të kërkesave të tij ekonomike për të qëndruar.
Derisa kohë pas kohe tifozët nuk kishin qenë miqësor me të, pas largimit nga Milani, kthimi i tij në San Siro (edhe pse si lojtar i Italisë), përsëri pritet të mos jetë miqësor.
I pyetur nëse pret një atmosferë armiqësore në fushën e tij të vjetër, duke pasur parasysh marrëdhënien e tensionuar me ish-klubin e tij, Donnarumma ka thënë: “Gjithmonë kam dhënë maksimumin për Milanin deri në momentin e fundit”.
“Do të më vinte keq, sepse kjo është ndeshje shumë e rëndësishme, një gjysmëfinale e Ligës së Kombeve, prandaj shpresoj që tifozë të na ndihmojnë”. /Telegrafi/