Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, pësoi humbje nga kampionia e Suedisë, Agnes Alexiusson, në rrethin e dytë të turneut kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, që po mbahet në Paris të Francës.
Me vendim të gjyqtarëve, Sadiku u mund me rezultat 3:2, ku dy gjyqtarë i dhanë fitoren boksieres tonë, ndërsa tre të tjerë suedezes, në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Donjeta me pak fat ka mundur edhe të fitojë meçin, pasi me boksin e shfaqur sidomos në raundin e tretë, u duk se fitorja do të jetë e saj, pasi dy raundet e para u ndanë barazim.
Me këtë humbje, Sadiku humb rastin për të fituar normën olimpike Tokio 2020.
Mundësia e vetme që Donjeta të marrë pjesë në Tokio 2020, është nëse merr ftesë nga Komisioni Tre-Palësh në përbërje: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore. /Telegrafi/