Dalja e Donjetës nga “Big Brother” ngjalli kuriozitet te publiku dhe menjëherë pas largimit nga shtëpia mediat kanë shkruar gjatë mbi arsyet e largimit të saj.
Në një intervistë për “WazzUp”, vajza nga Kosova ka folur për eksperiencën e saj prej dy javësh në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke e quajtur një torturë të vërtetë. Ajo ka qenë në çift me Damianon në bazë të votimit të publikut, edhe pse priste që në lojë të hynte bashkë me vëllanë e saj. “Çifti me Damianon ishte një lloj dallavereje. Unë prisja të hyja me vëllanë”, është shprehur ajo.
Më tej Donjeta ka treguar se pas daljes nga shtëpia ka qëndruar në hotel e izoluar, pa telefon dhe pa televizor. “Edhe pse Damiano i ka pasur të dyja, unë nuk i kam pasur”, thotë ajo.
Ajo ka vijuar të tregojë se madje i kanë prekur edhe kuletën. “Më kanë prekur kuletën, kam pasur mungesë parash. Nuk kam ngrënë aspak, kam ngrënë vetëm patatina dhe ujë në 24 orë që isha aty. Ka qenë një torturë e vërtetë për mua, nuk kisha as cigare. I kam kërcënuar që të më linin të bashkohesha me familjen time. Nisa të qaja, isha si në burg, ishte stres i madh. Jam bashkuar me familjen të shtunën dhe jemi kthyer së bashku në Kosovë”, është shprehur Donjeta.
Duket se për vajzën nga Kosova pjesëmarrja në “Big Brother” nuk ka qenë një nga eksperiencat e saj më të mira. Për sa i përket vëllait të saj, ajo është shprehur se bën tifo për të dhe ai aty mund të lidhet me kë të dëshirojë për të luajtur në çift, pasi ata nuk ndërhyjnë në zgjedhjet e njëri-tjetrit.