Aktori Donald Veshaj ka rezultuar i dyti në mbrëmjen finale të spektaklit Big Brother VIP.
Ka qenë balerini shqiptar Ilir Shaqiri ai i cili ka fituar vendin e parë me një çmim prej 100 mijë eurosh.
Aktori vendosi që një ditë pas finales së madhe të reagojë për herë të parë përmes një video-selfie të publikuar në llogarinë e tij në Instagram.
Ai e nisi videon me falënderime të pafundme për të gjithë ata që e votuan dhe e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi.
“Kisha kohë ma marrë një telefon në dorë. Jam munduar që prej dje kur ka mbaruar spektakli të nxjerr një video dhe për të falënderuar të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur dhe nuk e di si mund t’i falënderoj të gjithë ata njerëz që më kanë mbështetur. Kanë qenë shumë, realisht shumë. Nuk di si tua shpreh mirënjohjen, është një ndjenjë fantastike”, ka thënë ndër të tjerash Donaldi.
Tutje, Veshaj u shpreh se edhe pse nuk e fitoi çmimin e madh prej 100 mijë eurosh, do të japë vet nga xhepi i tij 100 mijë euro në ndërtimin e katër shtëpive për familjet nevojtare shqiptare.
I njëjti madje ka ftuar edhe Ilirin si fitues me 100 mijë euro në dorë, që t’i bashkëngjitet në këtë nismë interesante në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“100 mijë euro do t’i shtoj nga vetja ime, për t’i ndërtuar katër shtëpi për njerëzit në nevojë, dy në Kosovë, dy në Shqipëri. 100 mijë euro unë do t’i vendos vet nga vetja ime – është më e pakta që mund të bëj për njerëzit që mua më kanë përkrahur dhe patjetër që do kisha dëshirë të ftoja fituesin, të cilit i uroj fitore, që të më bashkohet mua në këtë nismë për këtë komb që na ka mbështetur”, përfundoi Donaldi.
Ai e publikoi këtë video-selfie në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, duke shkruar në mbishkrimin e saj: “Nuk gjeta fjalë më të bukur se ‘Ju dua të gjithëve’. Besoj që do jem zëri i gjithë votave që më keni dhënë! Kemi shumë punë për të bërë bashkë. /Telegrafi/