Donald Trumpit tashmë i janë lexuar aktakuzat përmes së cilës do të gjykohet gjatë muajve të ardhshme.
Ish-presidentit, Donald Trump i janë lexuar akuzat për të cilat mund të dënohet maksimalisht 400 vjet.
Procesi ka zgjatur rreth 10 minuta, gjatë së cilës kohë i bashkë-pandehuri, Walt Nauta, kreu procedurat e marrjes së gishtave dhe fotografimit, raporton cnn.
Gjykatësi i Floridës, Jonathan Goodman ka lexuar 37 akuzat penale kundër tij, si dhe gjashtë akuzat me të cilat përballet ndihmësi personal i Trumpit, Nauta.
Trump ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se “jam i pafajshëm”.
Kujtojmë se prokurori i posaçëm, Jack Smith ngriti aktakuzat ndaj politikanit republikan, duke pretenduar se Trump keqpërdori dokumentet e klasifikuara duke i dërguar në vendpushimin e tij, Mar-a-Lago dhe u përfshi në një komplot për të penguar drejtësinë amerikane.
Kjo nuk është hera e parë që miliarderi amerikan po përballet me drejtësinë amerikane. Ai u padit në fillim të këtij viti nga zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit, New York, ku po akuzohet se kishte blerë heshtjen e yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels, e cila kishte deklaruar se ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale me pasanikun. /Telegrafi/