Site icon Telegrafi

Donald Trump i përgjigjet Angela Merkelit me një paralajmërim ogurzi për Gjermaninë

Donald Trump ka hedhur poshtë komentet e fundit të Angela Merkel për mosbesueshmërinë e SHBA-VE si një partner tregtar.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti amerikan ka thënë se Amerika kishte një “deficit tregtar masiv me Gjermaninë” dhe paralajmëroi: “Kjo do të ndryshojë”.

Një deklaratë e tillë, sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, vjen pasi Merkel tha se Gjermania nuk mund të mbështetet më në SHBA nën presidencën e zotit Trump.

“Ne kemi një deficit tregtar masiv me Gjermaninë, plus ata paguajnë më pak se sa duhet në NATO dhe ushtri. Shumë keq për SHBA-të. Kjo do të ndryshojë”, ka shkruar Trump.

Duke folur në një ngjarje të zhvilluar në një tendë të birrës bavareze, Kancelarja gjermane theksoi nevojën për marrëdhënie miqësore me SHBA, Britani dhe Rusi, por shtoi: “Ne evropianët duhet ta marrim me të vërtetë fatin tonë në duart tona”.

Merkel tha se, ndërsa aleanca tradicionale perëndimore kërcënohet nga presidenca e re e SHBA-ve dhe Brexit, “kohërat në të cilat mund të llogarisim plotësisht tek të tjerët janë paksa të mbaruara”.

Komentet e saj erdhën pasi Trump tha se kishte nevojë për më shumë kohë për të vendosur nëse SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen e marrëveshjes së klimës së Parisit, e cila i ka irrituar diplomatët evropianë. /Telegrafi/

Exit mobile version