Donald Trump duket se po ka vështirësi në gjetjen e një hoteli ku do të kalonte dy ditë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, pasi që në korrik pritet të marrë pjesë në samitin e G20, që do të mbahet në Hamburg, shkruan e përditshmja “Hamburger Abendblatt”.
Hoteli luksoz në Hamburg, “Four Seasons”, ka refuzuar të akomodojë presidentin amerikan dhe delegacionin e tij gjatë qëndrimit dyditorë në këtë qytet, ku do të takohet me krerët e vendeve anëtare të G20-së, transmeton Telegrafi.
Gjatë vitit të kaluar në këtë hotel kishte qëndruar ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë takimit të OSCE në Hamburg, dhe kështu zgjedhja e parë më e mirë për delegacionin e presidentit të ri mendohej se do të ishte ky hotel.
“Four Seasons” ka refuzuar kërkesën e delegacionit të Donald Trumpit, dhe tani për tani nuk dihet se ku do të qëndrojë presidenti amerikan.
Zëdhënësja e hotelit nuk ka dashur të komentojë vendimin e as të flasë për arsyet e refuzimit të presidentit amerikan, raporton Der Spiegel.
Duke pasur parasysh faktin se të gjithë hotelet luksoze në atë kohë do të jenë pothuajse të zënë nga rezervimet që do të bëhen nga delegacionet e vendeve të ndryshme, spekulohet se delegacioni amerikan i kryesuar nga Trump do të qëndrojë në Berlin në hotelin “Adlon”.
Policia e Hamburgut ka bërë të ditur se të gjithë të ftuarit do të qëndrojnë në “qendër të Hamburgut”.
Për shumicën e pjesëmarrësve në samitin e G20-së, policia ka informacione se në cilët hotele do të qëndrojnë në Hamburg, por jo edhe për delegacionin amerikan për të cilët deri më tani “nuk kanë asnjë informacion”. /Telegrafi/