Site icon Telegrafi

Donald Trump krijoi Fondin Sovran – cilat vende e kanë dhe pse është i rëndësishëm?

Ndër veprimet e shumta të shpejta dhe të gjera që ka ndërmarrë presidenti amerikan, Donald Trump gjatë dy javëve të para pas betimit, është nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për krijimin e një fondi sovran pasurie të SHBA-së.

“Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm”, tha lideri amerikan gjatë nënshkrimit të urdhrit në Zyrën Ovale, shkruan newsweek.

“Mendoj se në një periudhë të shkurtër kohe, do të kemi një nga fondet më të mëdha”, tha 78-vjeçar, duke sugjeruar se fondi mund të përfundojë duke blerë platformën e ndarjes së videove TikTok.

Megjithatë, disa ekspertë kanë qenë kritikë ndaj një fondi sovran pasurie të SHBA-së që nga momenti kur ai e përmendi atë për herë të parë gjatë fushatës presidenciale, duke pasur frikë se kombi nuk do të arrijë të përputhet me forcën financiare të disa prej fondeve më të mëdha sovrane të botës.

Pse është e rëndësishme?

Gjatë fushatës për president në vitin 2024, Trump përdori të njëjtin moto që e ndihmoi të fitonte në vitin 2016, “Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe”. Presidenti amerikan ka premtuar të ulë inflacionin dhe të nxisë rritjen ekonomike, duke paraqitur tarifat si një zgjidhje.

Gjatë dy javëve të fundit, ai ka miratuar një sërë politikash në këtë drejtim, duke kërcënuar Kanadanë dhe Meksikën me tarifa prej 25 për qind dhe duke vendosur një tarifë prej 10 për qind për mallrat kineze.

Lexo po ashtu Tarifat e Trumpit - çfarë janë dhe cili është ndikimi i tyre?

Qëllimi i Trumpit për krijimin e një fondi sovran pasurie është që të gjenerojë më shumë të ardhura federale, pasi ai planifikon të prezantojë ulje taksash dhe të zvogëlojë madhësinë e qeverisë; megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se qeveria mund të mos ketë mjaftueshëm para për të krijuar një fond të fortë.

Çfarë duhet të dini?

Fondet sovrane të pasurisë (SWFs) janë fonde investimesh të krijuara nga qeveritë kombëtare dhe përbëhen nga pasuri të tilla si aksione, obligacione, pasuri të paluajtshme dhe instrumente të tjerë financiarë.

Ndërsa financimi për një SWF mund të vijë nga burime të ndryshme, disa prej burimeve më të zakonshme janë tepricat e buxhetit të një vendi, të ardhurat nga burimet natyrore shtetërore, rezerva bankare dhe operacione me valutë të huaj.

Këto fonde krijohen zakonisht me një mandat të caktuar për të gjeneruar përfitime ekonomike për qytetarët e shtetit, transmeton Telegrafi.

Ndërsa qeveria federale e SHBA-së nuk ka një fond sovran pasurie, 21 shtete në SHBA tashmë kanë fondet e tyre.

Fondi më i madh është Alaska Permanent Fund Corporation, i krijuar në vitin 1976, i cili më 31 dhjetor kishte një vlerë prej 79.6 miliardë dollarë. Ky fond paguan dividentë vjetore për banorët e Alaskës: vitin e kaluar, mbi 600 mijë alaskanë morën një divident prej 1702 dollarësh.

Ka mbi 90 fonde sovrane pasurie në mbarë botën, sipas Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë, por ato më të mëdhatë janë në vende që kanë rezerva të mëdha valutore, si Kina, ose të ardhura të mëdha nga shitja e naftës dhe burimeve të tjera natyrore, si Norvegjia dhe Arabia Saudite.

Në përgjithësi, më shumë se 8 trilionë dollarë menaxhohen nga SWF-të, shkruan institucioni.

Norvegjia
Fondi i Pensioneve të Qeverisë së Norvegjisë (Norway Government Pension Fund Global) është fondi sovran më i madh i pasurisë në botë, me një total prej 1,738,806,263,000 dollarësh (mbi 1.6 trilion euro) në asete, sipas të dhënave nga Instituti SWF.

Ai u krijua në vitin 1990 si Fondi i Naftës së Qeverisë me idenë për të mbajtur të ardhurat e tepruara nga tregtia e naftës së Norvegjisë.

Fondi investon në aksione, të ardhura fikse dhe pasuri të paluajtshme, sipas Investopedia.

Kina
Korporata e Investimeve të Kinës (China Investment Corporation), e themeluar në vitin 2007 dhe me seli në Pekin, është fondi sovran i dytë më i madh në botë, me 1,332,071,000,000 dollarë (1.28 trilion euro) në asete. Përdoret për të menaxhuar një pjesë të rezervave të valutave të huaja të vendit.

Kina zotëron fondin e tretë më të madh sovran të pasurisë në botë, SAFE Investment Company, i themeluar në vitin 1997 dhe me asete aktuale që arrijnë në 1,090,000,000,000 dollarë (1.05 trilion euro).

Emiratet e Bashkuara Arabe
Autoriteti i Investimeve të Abu Dhabit, i themeluar në vitin 1976, është fondi sovran i katërt më i madh në botë, me 1,057,545,000,000 dollarë (1.01 trilion euro) në asete.

Kuvajti
Autoriteti i Investimeve të Kuvajtit, i themeluar në vitin 1953, ka një total prej 1,029,000,000,000 dollarë (991.5 miliardë euro) në asete. Është fondi sovran i pestë më i madh në botë.

Arabia Saudite
Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, i themeluar në vitin 1971 dhe me seli në Rijad, Arabinë Saudite, është fondi sovran i gjashtë më i madh në botë me 925,000,000,000 dollarë (891.3 miliardë euro) në asete.

Vende të tjera me fonde sovrane pasurie përfshijnë Katarin, Turqinë, Korenë, Azerbajxhanin, Kazakistanin, Omanin, Zelandën e Re, Etiopinë, Libinë, Rusinë, Maltën, Irlandën, Egjiptin, Indonezinë, Kilin dhe Japoninë, ndër të tjera më të vogla.

Lexo po ashtu E dërguan në Kushtetuese, Murati: PDK dhe LDK nuk e kuptojnë rëndësinë e Fondit Sovran

Ndërkohë, Ligji për Fondin Sovran i miratuar në vitin 2023 në Kuvendin e Kosovës u kontestua nga partitë opozitare. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e kanë dërguar për vlerësim këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, e cila edhe deri më sot nuk ka sjell ndonjë vendim.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trumpi të hënën i kërkon Departamentit të Thesarit dhe Tregtisë të paraqesin një plan për krijimin e një fondi sovran pasurie të SHBA-së brenda 90 ditësh, përfshirë rekomandime për “mekanizmin e financimit, strategjitë e investimeve, strukturën e fondit dhe një model qeverisjeje”.

Presidenti amerikan nuk dha shumë detaje mbi mënyrën se si do të funksionojë dhe financohet fondi sovran i SHBA-së.

“Është një ngjarje shumë emocionuese. Ne do të kemi një fond sovran pasurie, gjë që nuk kemi pasur asnjëherë. Kemi shumë gjëra që krijojnë pasuri, dhe po e shihni këtë gjatë dy javëve të fundit, mendoj se kemi krijuar më shumë pasuri”, tha ai.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se ideja është “të monetizojmë anën e pasurisë të bilancit të SHBA-së për popullin amerikan” përmes “një kombinimi të aseteve likuide, aseteve që kemi në këtë vend dhe që po punojmë për t’i nxjerrë për popullin amerikan”.

Trump ka sugjeruar më parë që të ardhurat nga “tarifat dhe gjëra të tjera të mençura” mund të shkojnë në fond.

Ekspertët janë të dyshimtë se si mund të funksionojë një fond sovran pasurie i SHBA-së. Hulumtuesit në Qendrën për Zhvillimin Global shkruan në një përditësim të fundit “edhe në mes të (interesit të rrallë) dypartiak në rritje, ka pyetje të mëdha mbi praktikalitetet e propozimeve të reja për fonde sovrane të pasurisë – përfshirë se cilat burime do të përdoren për të kapitalizuar një fond të tillë, cilat investime do të mbështesë ai, ku mund të vendoset dhe rëndësia e një SWF në kontekstin e SHBA-së”. /Telegrafi/

Exit mobile version