Ishte janari i vitit 2012 kur një vajzë e mitur 15 vjeçare ishte përdhunuar në një shtëpi të pabanuar në Komunën e Gjakovës. Duke dalë nga spitali, e re dhe e pambrojtur ishte ndalë papritmas nga dy persona të cilët nën kanosjen e thikës e kishin marrë dhe dërguar në atë shtëpi. Ajo ishte dhunuar gjatë tërë natës, dhe sikur të mos mjaftonte për dhunim ishte ftuar edhe një person tjetër i mitur.
Nëntë vite më vonë, për këtë akt përdhunimi seksual u ngritën dyshime të mëdha mbi një gjyqtare dhe prokurore për mënyrën e gjykimit dhe vendosjes për këtë akt.
I akuzuari i cili kur kishte ndodhur përdhunimi ishte 21 vjeçar u dënua nga gjykata me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim.
Ky dënim padyshim se paraqet një alarm shoqëror duke pasur parasysh faktin se Ligji për një vepër të tillë ka paraparë një dënim nga 5 deri në 20 vite burgim.
Ndonëse organet e sistemit të drejtësisë reaguan duke kërkuar përgjegjësi disiplinore, ato nuk duhet të mjaftohen dhe ta lënë anash domosdoshmërinë për hetim penal në këtë rast.
Mënyra se si është caktuar seanca, si rasti është gjykuar nga një gjyqtare kur Ligji e përcakton se “dhunimi” duhet të gjykohet nga trupi gjykues, si janë matur rrethanat lehtësuese dhe nuk është gjetur asnjë rrethanë renduese, si është shqiptuar një dënim në kundërshtim me ligjin në aq ditë sa janë mbajtur në paraburgim dhe se si një prokurore vendosi të mos ushtrojë ankesë, në një shtet me sundim të mirëfillte të Ligjit do të përbënte indicje të mjaftueshme që të niste një hetim penal, shkruan Kallxo.com.
Si u caktua seanca gjyqësore në korrik të këtij viti
Në fillim të muajit korrik të vitit 2021, gjyqtarja Florije Zatriqi e caktoj seancën e rishqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarit për përdhunimin e të miturës 15 vjeçare. Seanca për çudi u caktua me kërkesën e avokatit të të akuzuarit, të paktën kështu përshkruhet të ketë ndodhur në aktgjykimin e nxjerrë në muajin korrik.
“Gjykata me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit e caktoi dhe mbajti seancën e rishqyrtimit gjyqësor me datë 12.07.2021, në prezencë të prokurorit të shtetit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, në seancë nuk u prezantua e dëmtuara, e as përfaqësuesi i saj”, thuhet në aktgjykim.
Vendosja nga një gjyqtare dhe jo nga trupi gjykues prej tre gjyqtarëve
Dyshime në këtë rast paraqet fakti se për këtë çështje ka vendosur gjyqtarja e vetme, Florije Zatriqi, në mënyrë individuale dhe jo trupi gjykues siç parashihet me Kodin e ri të Drejtësisë për të Mitur.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, për rastet kur gjykohet për vepra penale të cilat janë të dënueshme mbi 10 vite burgim duhet të vendosë trupi gjykues i përbërë prej 3 gjyqtarëve profesionist dhe jo një gjyqtar i vetëm gjykues.
Neni 48 i këtij Kodi ka përcaktuar se kur mundet një gjyqtar i vetëm të vendos për rastet penale dhe kur duhet të vendoset nga trupi gjykues.
Foto: Neni 48 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur
Pra, gjyqtarja Florije Zatriqi e ka anashkaluar Kodin e Drejtësisë për të Mitur dhe për këtë çështje ka vendosur vetë si gjyqtare e vetme gjykuese. Edhe po të zbatohej vetëm Kodi i Procedurës Penale në këtë rast përsëri çështja do duhej të gjykohej nga trupi gjykues pasi dhunimi bën pjesë në kategorinë e krimeve të rënda penale. Vendosja e këtij rasti nga gjyqtarja në mënyrë individuale është në kundërshtim me Kodin e Drejtësisë për të Mitur.
Për të kuptuar arsyet se pse nuk është vendosur nga trupi gjykues, i jemi drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë. Mirëpo, nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dënimi në kundërshtim me Ligjin
Dispozitat ligjore mbi të cilat është thirrur gjyqtarja Florije Zatriqi kur ka vendosur ta dënoj me 8 muaj të akuzuarin për dhunim nuk lejojnë që të shqiptohet një dënim më pak se me 3 vite burgim.
Gjyqtarja është bazuar në Kodin e ri penal, përkatësisht nenet 70, 71 kur ka ulur dënimin në 8 muaj, ndonëse vepra penale me të cilën ngarkohet i akuzuari bazohet në Kodin e përkohshëm penal. Pra, në këtë rast janë zbatuar dy kode të ndryshme penale në një çështje të njëjtë.
Këtë veprim gjyqtarja Zatriqi e ndërmori duke u bazuar në Kodin e ri penal i cili në një dispozitë më poshtë, përkatësisht nenin 72 nuk e lejon që dënimi në ato raste të shqiptohet në më pak se 3 vite.
Foto: Neni 72 i Kodit Penal
Pra, në kundërshtim me Kodin penal, gjykatësja Florije Zatriqi ka shqiptuar dënim prej 8 muajve e 8 ditëve burgim e që në fund rezulton se pikërisht kaq ditë i akuzuari i ka mbajtur sa ishte në paraburgim.
Ndërkaq mos apelimi i këtij vendimi vetëm sa e rëndon edhe më shumë situatën kur merret parasysh se një prokurore me përvojë 20 vjeçare në sistem do duhej ta dinte se një dënim i tillë është në kundërshtim me Ligjin.
Mbi të gjitha, gjyqtarja e rastit ka pasur para vetës një vendim të Gjykatës së Apelit i cili për shkak të mos arsyetimit të dënimit me 2 vite burgim e kishte prishur rastin.
Shkalla e dytë kishte konstatuar se dënimi i ulët prej 2 viteve i shqiptuar nga Gjykata e Pejës ishte i pa arsyetuar dhe për këto arsye kishte kërkuar që e njëjta gjykatë të vendoste edhe një herë për rastin e përdhunimit të një 15 vjeçareje.
Konstatimet skandaloze të matjes së rrethanave lehtësuese dhe rënduese
Konstatimi se gjyqtarja nuk ka arritur të gjejë asnjë rrethanë rënduese në një vepër penale përdhunimi është një tjetër aspekt i cili duhet patjetër të analizohet dhe hetohet. Gjyqtarët kanë në dispozicion një udhëzues të Gjykatës Supreme të Kosovës për të vlerësuar rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese.
Ky udhëzues tregon se si duhet të nxirren rrethanat rënduese në një çështje penale dhe si ato lehtësuese. Udhëzuesi i Supremes nuk është obligativ, mirëpo vlerësimi i këtyre rrethanave është obligim ligjor i çdo gjyqtari para se të përcaktoj se sa vite burgim do t`i shqiptoj në një rast konkret penal pasi të konstatoj fajësinë e të akuzuarit.
Në bazë të udhëzuesit të Gjykatës Supreme në një rast të tillë përdhunimi kanë mund të merren parasysh së paku tetë rrethana rënduese e të cilat janë: Niveli i lartë i pjesëmarrjes së kryerësit, roli i tij, shkalla e lartë e dashjes, prania e kanosjes me dhunë, fakti se viktima ka qenë posaçërisht e pambrojtur apo e ndjeshme, mosha e viktimës, shkalla e dëmit të shkaktuar dhe efekti psikologjik mbi viktimën apo familjen e viktimës. Të gjitha këto rrethana janë të përshkruara në Udhëzuesin e Supremes, mirëpo asnjërën nga to nuk e ka vlerësuar si rënduese në rastin konkret gjyqtarja Zatriqi.
Ajo ka vlerësuar se në atë rast kanë ekzistuar vetëm rrethana lehtësuese dhe si të tilla i ka marrë: Sjelljen korrekte, shprehjen e keqardhjes, pranimin e fajësisë, mos lëndimin e viktimës gjatë aktit, të kaluarën e pastër të të akuzuarit, moshën e tij, papjekurinë dhe faktin se ka kaluar kohë e gjatë prej kur kishte ndodhur rasti dhe se tani është prind.
Ndonëse këto rrethana lehtësuese u përmenden në vendim, gjyqtarja nuk u lodh për arsyetimin dhe ndërlidhjen e këtyre rrethanave me provat konkrete të rastit.
Ndërkaq sipas Udhëzuesit të Supremes disa prej këtyre rrethanave lehtësuese që janë marrë për bazë nuk konsiderohen fare si rrethana lehtësuese.
Interesant është edhe fakti se në aktgjykim përshkruhet se prokurorja e rastit Lirije Morina nuk ka kërkuar që të merren parasysh asnjë rrethanë rënduese, mirëpo e njëjta ka kërkuar që parasysh të merren vetëm ato lehtësuese.
Historiku i rastit bazuar në aktakuzën e prokurorisë
Një vajzë e re 15 vjeçare në janar të vitit 2012 kishte dalë nga Spitali i Gjakovës. Papritmas ishte ndalur në rrugë nga dy persona, njëri prej të cilëve i mitur. Aty ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë dhe dërguar në një shtëpi të pabanuar.
Pasi ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin përdhunuar 15 vjeçaren.
E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.
Gati 10 vite më vonë kur po pritej që të vihej në vend drejtësia për viktimën, ajo u detyrua të përballonte edhe një tjetër “goditje”, kësaj radhe nga sistemi gjyqësor, pasi dhunuesi i saj u dënua me 8 muaj e 8 ditë burgim.
Reagimet pas publikimit të vendimit
Publikimi i lajmit se si rasti i dhunimit të të miturës 15 vjeçare u dënua me 8 muaj e 8 ditë burgim mori jehonë në të gjithë vendin.
Udhëheqësit kryesor të sistemit të drejtësisë reaguan dhe kërkuan përgjegjësi.
Përmes një komunikate publike kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kërkoi ndërmarrjen e masave kundër gjyqtares Zatriqi.
Të njëjtën kërkesë e parashtroi edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kundër prokurores së rastit.
Pa reaguar nuk mbeti as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se vendime të tilla nuk i përkrahin viktimat.
E menjëherë pas reagimeve erdhën rezultatet e para, kryeprokurori i Pejës inicioi procedurën disiplinore ndaj prokurores së rastit.