Spanja vijon të dominojë me dorë të hekurt në futbollin evropian.
Këtë e vërtetojnë trofetë e shumtë që kanë fituar ekipet spanjolle dhe këtu përfshihet edhe skuadra përfaqësuese e vendit iberik.
Rasti më i freskët është pikërisht ai i kësaj mesjave, kur në Bazel Sevilla triumfoi në Europa League për herë të tretë radhazi dhe të pestën në 10 vitet e fundit.
Gjatë kësaj periudhe, në palmaresin e skuadrave iberike janë 7 Europa League dhe 6 Liga Kampionesh dhe këtu përfshijmë edhe trofeun që do të jepet fundjavën e ardhshme në Milano, duke qenë se në finale janë dy ekipet e Madridit, Real e Atletico. Pra, 13 trofe nga 22 të mundshmet me 4 përballje mes skuadrave spanjolle në finale.
Shifrat bëhen akoma më impresionuese kur shtojmë edhe Superkupën Evropiane, 8 nga 11 të fundit janë fituar pikërisht nga iberikët.
Dominimit të klubeve spanjollë i bashkohet ai i përfaqësueses, e cila nga 2008 deri në 2012 arriti të fitojë 2 Evropianë dhe 1 Botëror njëri pas tjetrit.
Por është edhe një statistikë tjetër që vërteton këtë dominim. Një skuadër spanjolle nuk humbet një finale kundrejt një ekipi nga një shtet tjetër që nga viti 2007, kur Sevilla humbi Superkupën Evropiane ndaj Milanit.
Më pas, çdo trofe ka qenë në duart e tyre të cilat janë shpërndarë mes Barcelonës, Real Madrid, Atletico Madrid e Sevilla, me këtë të fundit që është një rast për t’u studiuar.
Skuadra andaluziane vendosi 2 rekorde të reja, fitoi Europa League për të pestën herë si dhe u bë e para skuadër që arrin të fitojë këtë trofe për të tretin vit radhazi.
Në kampionat kjo skuadër u rendit e shtata, por në Europa League ishte e pamëshirshme ndaj rivalëve të saj dhe i fundit që e provoi këtë ishte Liverpuli i Jurgen Klopp.