Katër tonë e gjysëm domate të eksportuara nga Shqipëria dhe Italia në Greqi, u gjetën me përmbajtje shumë të lartë të pesticideve. Autoritetet greke kanë tërhequr nga tregjet e fruta-perimeve në Athinë gjithë sasinë e shpërndarë nga një kompani greke dhe kanë lajmëruar shkatërrimin e domateve të cilat cilësohen të rrezikshme për konsum.
Skandali me pesticidet që përdoren pa kriter dhe në mënyre të pakontrolluar është denoncuar nga Top Channel për disa muaj rresht. Ministria e Bujqësisë, përgjegjëse për fenomenin në fillim e injoroi fenomenin dhe heshti dhe në fund përfaqësuesit e saj e pranuan se në Shqipëri kishin hyrë pesticide kontrabandë dhe të rrezikshme. Një prej tyre ishte pesticidi metolim 90 i ndaluar të përdoret. Çdo ditë nga Shqipëria dalin 200 ton domate për eksport.
Top Channel pyeti përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë për skandalin dhe përgjigjja ishte: “Në asnjë rast gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë njoftim mbi reklamimin e sigurisë së domates Shqiptare në sistemin RASFF – Food and Feed Safety Alerts. Madje as rasti i ekspozuar në mediat greke që bën fjalë për një sasi minimale, 0.01121% e sasisë së eksporteve vjetore të këtij produkti nuk është raportuar në rruge zyrtare, as drejt autoriteteve shqiptare as në sistemin RASFF deri në këtë moment.”
Fermerët shqiptarë kanë shitur në Greqi 514 ton domate gjatë këtij viti. Sipas Ministrisë së Bujqësisë domatet me helme janë kapur në treg dhe jo në kufi, çka e bën të paqarte origjinën e tyre. Ndërkohë që po komunikohet me autoritetet greke për këtë rast. Por nëse që në muajin maj, kur Top Channel denoncoi përdorimin e pesticideve të ndaluara, do ishin marrë masa drastike për ta ndaluar, skandali që ndodhi në Greqi, nuk do të ndodhte.
Por ndërsa në Greqi, kapen domatet shqiptare me helme, në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast që autoritetet të kenë bllokuar ndonjë sasi prodhimi me nivele të larta pesticidesh. /top chanel/