Më në fund, pas dy vjet pune e përkushtimi, mbërritëm të botojmë librin me titull: “Testamenti i fshehur” i Gjokë Spaçit, anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili në vitin 1950, pas një procesi politik së bashku me 21 anëtarë të tjerë të kësaj organizate politike u dënuan me 297 vjet burg të rëndë.
Gjokë Spaçi i dha vetes detyrë të shkruante dorëshkrimin, më saktë testamentin e vuajtjeve pikërisht në dimrin e vitit 1956, kur në Kosovë ndodhte aksioni i policisë serbe i koduar si Aksioni për grumbullimin e armëve. Gjatë këtij dimri të rëndë, nëpër organet e sigurimit serb u keqtrajtuan mbi 30 mijë shqiptarë, derisa 25 prej tyre gjetën vdekjen nga torturat në bodrumet e Sigurimit Shtetëror serb. Dhe, pikërisht në këtë kohë, derisa Gjokë Spaçi ishte duke mbajtur shënime për jetën e burgut, me drojë e ndjenja të përziera thotë: “Asht edhe një krimb që më bren. Ku t’i fshehi? Me i qitë në mur ose në tavan, m’i gjejnë mijtë e m’i prishin. Me i rujtë ndokund në arka të grave ose të vajzave, në rast të ndonjë kontrolli, munden me m’i gjetë e masnej i tradhtoj shokët. Unë për vete duhet me thanë punën e pendimit, se për mua ma nuk do të ketë jetë dhe as që më vyen jeta, se masnej prej shokëve unë do të konsiderohem si i pazot, ose ma mirë me thanë si tradhtar…”.
Më shumë se për vuajtjet, ai mori përsipër të shkruaj për idealet dhe qëndresën e pashoqe të anëtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si dhe për diskursin e tyre politik për një Kosovë proevropiane e properëndimore, për dallim nga stalinistët dhe enveristët shqiptarë, të cilët kishin nisur një tjetër betejë brenda llojit: Stalinistët, të cilët autori dhe anëtarët tjerë të Grupit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit i quanin Ibeistë, luftonin që Kosova dhe shtetet tjera në Ballkan të mbeteshin nën Perandorinë komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik, derisa enveristët luftonin për një Kosovë nën sundimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha!
Grupi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili ndryshe quhet edhe Grupi i Halim Spahisë, ishte vazhdimësi e Lëvizjes Nacinaldemokratike Shqiptare, shef i së cilës ishte prof. Gjon Serreqi, derisa ideatori i themelimit të saj ishte prof. Selman Riza nga Gjakova, si dhe vazhdimësi e Lidhjes së Dytë të Prizrenit e themeluar në vitin 1943 në Prizren. Ideator i themelimit të organizatës politike Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte Xhafer Deva, ministër i Brendshëm i Shqipërisë së kësaj kohe, e cila udhëhiqej nga kryeministri kosovar, Rexhep Mitrovica në Tiranë.
Gjokë Spaçi, ky idealist i madh, me diskurs të qartë politik proevropian, me një paragraf emocionues e përmbyllë librin duke theksuar: “Pra, në dhashtë Zoti me shëndritë ndojherë dielli i nacionalizmit shqiptar dhe nëse asnjeni nga ne prej këtij Grupi mos qofshim gjallë, premtoftë Hyu e gjendet ndonjë nacionalist i ri dhe i shtypë këto shënime”.
Eventin e madh që ky dorëshkrim të shihte dritë e pati autori i këtyre radhëve. E konsideroj veten të privilegjuar, që u mora disa muaj me dorëshkrimin e Gjokë Spaçit. Dorëshkrimi u shkrua me dorë në vitin 1956, u shtyp me makinë shkrimi gjatë muajve janar-mars të vitit 1973 dhe pa dritën e botimit plot gjashtëdhjetetre vjet më vonë, më saktë në gjysmën e parë të vitit 2019.