Site icon Telegrafi

Dokumentimi i krimeve të Serbisë në Kosovë, dorëzohen dokumentet e para në Institutin për krimet e kryera gjatë luftës  

Sot në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vit shënon 26 vjetorin e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së Kosovë, krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë. Për dokumentimin e krimeve gjenociale të Serbisë kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kurti tha se nga sot të gjithë dokumentuesit, hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm, media e gazetarë e të gjithë qytetarët kanë institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura.

Ai tha se këto materiale do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë Institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

“Që sot ju ftoj që të gjithëve që të bashkohemi në këtë nismë shumë të rëndësishme… Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen…. po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm”, tha Kurti.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se sot është një ditë historike për Kosovën dhe moment vendimtar në rrugëtimin drejt të vërtetës historike.

“Ceremonia e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës nënkupton jo vetëm hap të rëndësishëm në dokumentin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci tha se rrugëtimi në këto 25 vite ka qenë i vështirë në mbledhjen e dëshmive e ruajtjen e materialeve.

“Sot e kemi një derë të hapur që unë me gëzim të madh e kam pritur dhe kam luftuar që një ditë të jetë një institut që do t’i mbledh të gjitha dëshmitë sepse shumë dëshmi e fakte na kanë humbur…”, tha Grajçevci. /Telegrafi/

Exit mobile version