Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në samitin e shumëpritur të Singaporit.
Në dokumentin e plotë shkruan se Trump dhe Kim kanë mbajtur takimin e parë historik në Singapor më 12 qershor të vitit 2018 në ora 9 të mëngjesit, transmeton Telegrafi.
1 Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen në ndërtimin e marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK në përputhje me dëshirën e popujve të të dy vendeve për paqe e begati.
2 Shtetet e Bashkuara dhe RPDK do të bashkojnë përpjekjet për të ndërtuar një regjim paqeje të qëndrueshëm e jetëgjatë në Gadishullin e Koresë.
3 Dike riafirmuar deklaratën e Panmunjomit, datë 27 prill 2018, RPDK angazhohet të punojë për arritjen e denuklearizimit të plotë të Gadishullit të Koresë.
4 Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen për kthimin e robërve të luftës / të humburve në betejë, përfshirë riatdhesimin e menjëhershme të atyre që janë të identifikuar tashmë.
Të ndërgjegjshëm që takimi SHBA-RPDK – i pari në histori – ishte një ngjarje epokale me domethënie të madhe e që kapërcen dekada tensioni e armiqësie midis dy vendeve dhe për nisjen e një të ardhmeje të re, Presidenti Trump Kryetari Kim Jong Un angazhohen për përmbushjen e plotë dhe në mënyrë efikase të pikave të kësaj deklarate të përbashkët. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen të mbajnë takime të tjera në vazhdimësi, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, dhe një zyrtari të nivelit të lartë të RPDK, në datën më të afërt të mundshme, për zbatimin e marrëveshjeve të takimit SHBA-RPDK.
Presidenti Donald J. Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetari Kim Jong Un i Komisionit të Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë angazhohen të bashkëpunojnë për zhvillimin e marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK dhe për promovimin e paqes, begatisë e sigurisë në Gadishullin e Koresë e në Botë. /Telegrafi/
(nënshkrimi)
DONALD J. TRUMP
PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
(nënshkrim)
KIM JONG UN
KRYETAR I KOMISIONIT TË QËSHTJEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS DEMOKRATIKE TË KORESË
12 qershor 2018
Ishulli Sentosa
Singapor