Dokumentet që Suedia dhe Finlanda i dërguan Turqisë në lidhje me aplikimin e tyre në NATO nuk përmbushin pritshmëritë e Turqisë.
Kështu, siç raportojnë mediat turke, përcjell Telegrafi, ka thënë ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, duke shtuar se shqetësimet e sigurisë së vendit duhet të adresohen.
“Përgjigjet e Finlandës dhe Suedisë nuk trajtuan shqetësimet e sigurisë së Turqisë”, tha të mërkurën diplomati i lartë turk në një konferencë të përbashkët shtypi me homologët e tij norvegjezë dhe irlandez pas takimeve në kryeqytetin turk Ankara.
Kështu, Cavusoglu shtoi se Ankaraja ka informuar Stokholmin, Helsinkin dhe NATO-n për mangësitë.
Ai tha se çdo negociatë mbi aplikimin e vendeve të Evropës veriore për t’u bashkuar me NATO-n do të duhej të trajtonte së pari kërkesat e Turqisë.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj, një vendim i nxitur nga ofensiva e Rusisë në Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt.
Por Turqia, një anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtimin për anëtarësim, duke ”kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste”. /Telegrafi/