Raportet e publikuara së fundi nga CIA zbulojnë se agjentët e regjimit komunist jugosllavë ishin përgjegjës për disa sulme në përfaqësitë e këtij shteti në Australi, gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar, shkruan The Australian.
CIA kishte ndjekur grupet kroate në këtë shtet, gjatë viteve të përmendura. Ndërkaq, në raportet saja CIA cek sulmet me bomba në konsullatat jugosllave për të cilat akuzoheshin kroatët.
“Besohet se agjentët e Titos ishin përgjegjës për disa nga sulmet dhe se ato janë bërë për të diskredituar komunitetin kroat në Australi”, thuhet në raport.
Në dokument janë prezantuar tetë anëtarë aktivë, përfshirë Sreçko Roverin, figurën kontroverse që sot nuk është në mesin e të gjallëve. Emri i tij përmendet shpejtë si person i lidhur me disa grupe dhe që ka reputacionin e organizatorit të sulmeve terroriste, transmeton Telegrafi.
Pasi më 1950 ka shkuar në Australi, është ballafaquar me akuzën se është i lidhur me regjimet naziste në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Vëllazëria Revolucionare Kroate ishte grupi më radikal dhe më i rrezikshëm i grupeve ekstremiste kroate. Misioni i tyre ishte infiltrimi i grupeve terroriste në Jugosllavi dhe sulmi ndaj diplomatëve jugosllavë jashtë vendit”, thuhet në dokument.
The Australian përmend edhe rastin e “Gjashtëshes kroate” që më 1981 është akuzuar për planifikim të sulmeve me bomba, por që më vonë dolën dyshimet se fjala ishte për inskenimet e agjentëve jugosllavë. /Telegrafi/