Kryesindikalisti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Sheqir Maliqi ka thënë se doktori Ibrahim Hoti nuk është mirë me shëndet dhe është duke u trajtuar në Emergjencën e QKMF-së në Podujevë.
Ai tha se nëse gjendja e mjekut Hoti nuk përmirësohet do ta dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)
“Prej orës 8:30 është duke u trajtuar me terapi. Tash për momentin ishin duke ia dhënë infuzionin, e nëse nuk përmirësohet do ta dërgojnë në QKUK. Njeriu që tri dekada ka dhënë çdo gjë për këtë vend”, ka thënë ndër të tjera Maliqi.
Maliqi gjatë ditës kishte organizuar një protestë për lirimin e mjekut Ibrahim Hoti.
Pas organizimit të protestës, Maliqi është dënuar me dy gjoba, një nga Inspektorati Sanitar si dhe nga Policia e Kosovës, për organizimin e protestës kundër arrestimit të mjekut pulmolog, Ibrahim Hoti.
Sheqiri ka thënë se Policia e Kosovës e ka dënuar me 50 euro, ndërsa Inspektorati me 200 euro.
“Pas takimit me kryetarin, policia kanë ardh e më kanë marr. Më kanë çuar në stacion policorë…. Më thanë që është e ndaluar të bëhen organizime të tillë. E unë ju thash është e ndaluar edhe mjeku jonë me u trajtu në këtë mënyrë. Po them me sinqeritet është një nga mjekët më me nivel në komunën tonë ”, ka thënë Maliqi.
Ndryshe sot mjekët e QKMF-së në Podujevë kanë protestuar kundër arrestimit të mjekut Ibrahim Hoti. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të pulmulogut Hoti.
Për këtë kanë reaguar edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës të cilët kanë bërë thirrje për lirimin e doktor Hotit.
Ndryshe, të enjten ka qarkulluar një video nëpër rrjete sociale ku shihej doktori në Podujevë duke refuzuar ta kontrollojë pacientin e moshuar, madje në një moment ai kërkon nga familjari i tij që të dalin jashtë QKMF-së, duke ia hapur derën. Pas refuzimit të dhënies së ndihmës ai është suspenduar nga puna dhe më pas është arrestuar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/